Të ndërpritet logjika e mercenarizmit dhe hajdutërisë në politikë

0

Abdulla Mehmeti

Të gjitha partitë politike të shqiptarëve në Maqedoninë Veriore, të pozitës dhe opozitës, një kohë të gjatë janë barrikaduar në istikamet e tyre dhe zhvillojnë luftë të ashpër politike dhe propaganduese për pushtet, duke “harruar” se lufta e tyre zhvillohet për mashtrimin, joshjen dhe përfitimin e votave vetëm nga gjysma e qytetarëve shqiptarë në këtë shtet, ndërsa askujt prej tyre nuk u intereson pse gjysma tjetër, mbi 50% e qytetarëve shqiptarë janë “avulluar” nga makinacionet e institucioneve të pushtetit, përmes ligjeve diskriminuese, përmes mohimit të shtetësisë dhe mosdhënies së dokumenteve personale, për shkak të këtyre manipulimeve dhe falsifikimeve mijëra shqiptarë nuk janë përfshirë në listën e përgjithshme të votuesve, ku shqiptarët duhet të përbëjnë së paku 35-40% të trupit të përgjithshëm votues në këtë shtet, ndërsa përqindja e shqiptarëve zvogëlohet dukshëm edhe për shkak të përfshirjes së mbi 400 mijë qytetarëve joshqiptarë me shtetësi të rrejshme, votuesve fiktivë, ndërsa partitë politike të shqiptarëve duhet të sigurojnë numër të deputetëve sipas përfshirjes së drejtë, përfaqësimit të barabartë në bazë të numrit të përgjithshëm të banorëve shqiptarë në këtë shtet, jo sipas kalkulimeve të organeve të pushtetit jodemokratik që mundohen numri i banorëve dhe i votuesve shqiptarë të jetë sa më i vogël, në këtë rast, i përgjysmuar!

Mos harroni se, sunduesit e huaj, hajdutët dhe kriminelët veprojnë sipas kësaj logjike: mashtro, merr, vidh e plaçkit sa të mundesh, rrëmbe sa ke mundësi e sa të kap dora, shfrytëzo dhe ik; ndërsa përfaqësuesit e denjë të një populli, veprimtarët dhe politikanët e përgjegjshëm përpiqen për të drejtat, lirinë dhe barazinë, interesin e të gjithë qytetarëve, bashkëkombësit e tyre, që në rastin e shqiptarëve në Maqedoni janë të përgjysmuar nga politika, nga pushteti dhe argatët e tij në radhët e partive politike.

Edhe kësaj radhe, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 12 prillit në Maqedoni, siç duket, partitë politike të shqiptarëve do të mjaftohen me ndarjen e kësaj plaçke prej më pak se 50%, me fitimin e më pak se 20 mandateve për deputetë të gjitha së bashku. Kjo është logjikë mercenarësh dhe hajdutësh, që pajtohet me aq sa u jep pushteti, sunduesi i huaj, jo sa i takon popullit shqiptar në Maqedoni, që e përfaqësojnë këto parti politike.