A do të realizohet premtimi i Zaevit për rritjen e pagave deri në 500 euro

0

Maqedonia vitin 2017 e mbylli me rritjen më të ulët ekonomike të regjistruar ndonjëherë, me rritje të papunësisë dhe rrjedhimisht varfërimin e popullatës, bazuar në të dhënat statistikore, por edhe në vlerësimet e ekspertëve të ekonomisë.

Vendi, sipas tyre nuk mban mend të ketë regjistruar gjendje më të rëndë ekonomike se ajo e vitit 2017. Në këtë, sipas profesorit të ekonomisë, Fatmir Bytyçi kanë ndikuar shumë faktorë, por para se gjithash ata politikë.

“2017-a ishte vit në të cilin të gjithë i kanë ndjerë pasojat e krizës politike të stërzgjatur, por edhe politikave të gabuara të Qeverisë së kaluar. Në historinë 25 vjeçare të vendit, nuk mbajmë mend të ketë pasur ndonjë rritje mes zero dhe një për qind. Ne aktualisht jemi në situatë ku kemi pothuajse 450 mijë qytetarë të cilët jetojnë nën pragun minimal, apo me paga shumë të ulëta, të cilat sipas standardeve ndërkombëtare, i klasifikon ato në pragun e varfërisë”, thotë Bytyçi.

Sa i përket pritjeve për vitin 2018, ai thotë ka tendencë pozitive për rritjen e ekonomisë, për sundimin e ligjit dhe krijimin e kushteve për zhvillim dhe investime të jashtme, por sipas tij projektimet e Qeverisë për një rritje prej tre për qind, vështirë se do të realizohen për shkak të dëmeve të mëdha që ka pësuar ekonomia e vendit.

“Kemi një tendencë pozitive të kthimit të optimizmit në ekonomi dhe tek afaristët, të krijimit të mundësive, por po e them se të gjitha këto janë vetëm se supozime sepse akoma nuk i kemi parë në vepër se si do të realizohen. Prandaj, vlerësoj se edhe viti 2018 nuk do të jetë vit shumë i mirë në të cilit shpresoj të paktën të fillojë tendenca e rritjes së zhvillimit ekonomi dhe mirëqenies së qytetarëve”, thotë Bytyçi.

Ndërsa sa i përket premtimeve të Qeverisë për një rritje pagash deri në 30 mijë denarë apo 500 euro, ai thotë se kjo është një premtim elektoral që vështirë se mund të realizohen në tre vitet e ardhshme, pasi bëhet fjalë për rritje të pagave për 50 për qind që vështirë se do të mund të zbatohet me parametrat e tanishëm të ekonomisë.

Por, nga Qeveria janë optimist se megjithatë zhvillime pozitive do të ketë. Ekzekutivi në nga mbledhjet kushtuar aspekteve ekonomike ka hartuar një strategji për zhvillimin ekonomik, apo ndarjen e 60 milionë eurove për biznesit me qëllim nxitjen e punësimeve. Nga ky fond do të përfitojnë kompanitë që do të japin paga deri në 300 euro në muaj dhe që do të realizojnë punësime të reja.