Të shtunën Aleanca për Shqiptarët (ASH) do të mbaj Kuvendin e partisë në të cilën do të diskutohet për dy pika: Raporti i kryetarit të partisë rreth zhvillimeve politike mbi zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe parlamentare si dhe Shqyrtimi i vendimit të kryesisë së partisë (i datës 24.10.2023) rreth daljes së partisë në zgjedhjet parlamentare. Nëse Aleanca do të ketë kuorumin e nevojshëm për mbajtjen e Kuvendit ose jo, kjo do të shihet të shtunën, për faktin se kreu i ASH-së, Arben Taravari thotë se të paktën 70 për qind e anëtarëve janë përgjigjur pozitivisht vendimit tij për të shkuar me opozitën, që nënkupton janë kundër vendimit të 24 tetorit të vitit kaluar. Mbrëmjen e kaluar, qytetarët u mblodhën spontanisht në Gostivar para shtëpisë së Taravarit për t’i dhënë mbështetje ndaj vendimit të marrë për t’i bashkuar opozitës së bashkuar shqiptare. Taravari tha se ka dëgjuar zërin e popullit dhe se ndryshimin e filluar nuk ka forcë që do ta ndalë.
“Unë e dija se zëri i popullit është për bashkëpunim me opozitën. Këtë e ndjej çdo ditë duke folur me kryetarët e degëve, duke fol në mbledhjen e fundit të kryesisë para një muaji, por tash kur e shoh përkrahjen e popullatës jam i sigurt se neve duhet ta vazhdojmë këtë rrugë dhe sa më shpejtë ta sjellim ndryshimin te shqiptarët”, deklaroi Arben Taravari, Kryetar i Aleancës për Shqiptarët.
Në kuadër të kërcënimeve ndaj tij dhe familjes së tij pas gjetjes së plumbit të pushkës automatike në oborrin e shtëpisë, Taravari tha se kërcënime dhe diskreditime të tilla pret edhe gjatë periudhës së ardhshme.
“Unë e di se tani do të ketë mënyra përmes të cilave do të mundohen të më diskreditojnë si njeri, por gëzohem se popullin e kam me vete, ju jeni me ne, drejtësia është me ne, nijetin e kemi të pastër dhe më së shumti që shqiptarëve u duhet në këtë periudhë është ndryshimi dhe besoj se më 8 maj do ta festojmë në Tetovë ose Shkup fitoren e madhe”, tha Arben Taravari, Kryetar i Aleancës për Shqiptarët.
Vendimi i Taravarit që Aleanca për Shqiptarët t’i bashkohet frontit opozitar shqiptar solli reagime të ashpra nga struktura të caktuara brenda ASH-së. Kryetar i Kuvendit, Ziadin Sela doli kundër këtij vendimi të Taravarit, ndërsa grupi parlamentar u nda në qëdnrime, përfshi edhe ministrat e ASH-së. Sela akuzoi Taravarin se po bashkohet me tradhtarët e ASH-së, ndërsa Taravari akuzoi strukturat partiake se po tentojnë më çdo kusht ta mbajnë BDI-në në pushtet. /Alsat.mk