Banorë shqiptarë nga Lugina e Preshevës në jug të Serbisë kanë protestuar të hënën për “identitet dhe dinjitet”, duke e akuzuar Qeverinë serbe për diskriminim ndaj tyre.
Ata protestuan në Bujanoc duke mbajtur në duar flamuj kombëtarë shqiptarë dhe amerikanë, si dhe pankarta me mbishkrime si: “Stop pasivizmit selektiv”, “Të shtypur po, të nënshtruar jo” dhe “kthema adresën”, si dhe të veshur me fanella me mbishkrimin “Për identitet dhe dinjitet”, raporton Radio EvropaeLirë.
Përfaqësuesi i komunitetit shqiptar në jug të Serbisë, Shaip Kamberi, e akuzoi Qeverinë serbe për mohimin e të drejtave të pakicës shqiptare, duke thënë se ajo “nuk dëshiron integrimin e tyre në organet shtetërore në mënyrë të drejtë dhe të barabartë”.
Protesta u thirr të shtunën nga kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu, nëpërmjet një postimi në Facebook, nën sloganin “Për identitet dhe dinjitet”.
Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, shqiptarët janë pakica e katërt më e madhe në Serbi, përkatësisht në këtë shtet jetojnë 61.687 shqiptarë.
“Beogradi vazhdon me avazin e vjetër, t’i trajtojë shqiptarët si armiq, si popull të rendit të dytë, i cili nuk meriton pjesëmarrje institucionale. Ka vazhduar me diskriminim duke mos i njohur diplomat, dhe me mosintegrimin dhe me pasivizimin (e adresave)”, tha Kamberi.
Kamberi, i cili e fitoi edhe një mandat në Parlamentin e Serbisë në zgjedhjet serbe të 17 dhjetorit, i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare t’i bëjë trysni Serbisë për, siç tha, ndaljen e diskriminimit ndaj shqiptarëve në Luginë.
“Ftoj Qeverinë që të fillojë në mënyrë urgjente dhe të pakushtëzuar realizimin e obligimeve të marra nga marrëveshjet e nënshkruara, mbi të gjitha ftoj bashkësinë ndërkombëtare të reagojë sa më shpejt për ta ndërprerë aparteidin dhe diskriminim klasik, sepse që nga Marrëveshja e Konçulit 2001 e deri te plani 7-pikësh 2013, ne kemi pasur besim jo në Beogradin, por në vlerat demokratike perëndimore”, tha Kamberi.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se shqiptarët në Luginë të Preshevës po përballen me diskriminim sistematik, duke shtuar se kërkesat e tyre të paraqitura në protestë “janë plotësisht legjitime dhe të drejta”.
“Qeveria e Republikës së Kosovës mbështet bashkëkombasit tanë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë si dhe mbetet e angazhuar për të ngritur këto çështje në nivelet më të larta ndërkombëtare dhe të kërkojë përkrahje për t’i dhënë fund diskriminimit të padrejtë”, shkroi ai në Facebook./REL