Të vdekurit dhe votuesit fiktivë e fundosën Maqedoninë

0

Muhamer Pajaziti

Referendumi i fundit në Maqedoni dëshmon se ky vend nuk ka gjasa të ketë 1 milion e 800 mijë votues.

Kjo dëshmohet edhe me faktin se në disa qytete numri i popullsisë është gati i barabartë me numrin e votuesve. Ndërkaq, jo rrallë herë organizatat jo qeveritare kanë raportuar se në listat zgjedhore vazhdojnë të jenë të pranishëm rreth 200 mijë votues fiktivë dhe të vdekur.

Tendencat e politikës dhe institucioneve maqedonase për ta ulur numrin e votuesve shqiptarë duke fryrë listat në zonat maqedonase ishte kurthi që ranë vet maqedonasit, duke dështuar në referendum dhe duke e futur shtetin në një ‘qorr sokak’.

Por, pse Maqedonia nuk e realizon regjistrimin e popullsisë?

Deri në regjistrimin e ardhshëm, Maqedonia do ta shënoj një rekord të paparë botëror – ajo është vendi i vetëm në Evropë në të cilin nuk është realizuar regjistrimi i popullsisë afër dy dekadave, njofton agjencia e lajmeve INA.

Por sa banorë ka Maqedonia? Askush nuk e dinë e saktë. Sipas një vlerësimi të Entit Shtetëror të Statistika në Maqedonia 2.072.490 banorë, ndërsa dendësia e popullsisë është 80.6 banorë në kilometër katror.

Por, këto nuk janë statistika të sakta dhe zyrtare për faktin se tashmë 16 vite nuk është bërë regjistrimi i popullisë, edhe pse një gjë e tillë është kërkuar nga Bashkimi Evropianë.

Drejtori për bashkëpunim ndërkombëtar në Eurostat, Pjeter Everaers, ka thënë se regjistrim i popullsisë nuk është politikë, por një operacion statistikor i cili duhet të regjistroj personat që gjenden në territorin e caktuar dhe që nuk kanë munguar për më shumë se një vit. Sipas regjistrimit të vitit 2002 në Maqedoni jetojnë 2.022.547 banorë, prej të cilëve 65 % maqedonas, 25,17 % shqiptarë, 3,85 % turq, 2,66 % romë, 1,78 serb % dhe komunitete tjera pakicë.

Organizatat ndërkombëtare, por edhe ato vendore kërkojnë që të realizohet regjistrimi për të pasur një pasqyrë të saktë për popullsinë si dhe aspektet se sa komunitete jetojnë, si janë trendet ekonomike dhe sociale si dhe shumë çështje tjera.

Por problem në vend është edhe fakti se sa është numri i votuesve në Maqedoni, pasi që nga 2,1 milion banorë, rreth 1, 8 milion janë votues.

Kjo, siç raporton Ina, shifër është konsideruar tejet si joreale dhe ka nxitur debate të vazhdueshme.

Profesori universitar Abdulmenaf Bexheti, i cili në vitin 2011 dha dorëheqje nga detyra e nënkryetarit të Komisionit Shtetëror të Regjistrimit ka theksuar se qasja e institucioneve tregon se nuk ka gatishmëri për organizimin e regjistrimit si një operacion transparent.

Regjistrimi i popullsisë në Maqedoni do të realizohet në vitin 2020, nga 1 e deri më 21 prill.

Për këtë proces do të angazhohen pesë mijë regjistrues, kurse do të ketë një kombinim metodash, pra do të shfrytëzohen të dhënat në terren dhe ato në regjistër.

Vlerësohet se ky regjistrim do të kushtojë 8,5 milionë euro.

Nga Organizata për Bashkëpunim Rajonal dhe Integrime Evropiane thonë për agjencinë e lajmeve INA se nëse vazhdon trendi i largimit të të rinjve, deri në vitin 2020, Maqedonia do të ketë numër më të vogël të banorëve se sa në vitin 2002.

Nga OBRIE theksojnë se rreth 200 mijë të rinjë maqedonas kanë pasaporta bullgare, duke mos dashur të identifikohen me shtetin që nuk u ka dhënë asnjë përspektive.

Sipas OBRIE-s, edhe të rinjtë shqiptarë e kanë braktisur vendin për vite me rradhë por vazhdojnë të investojnë në vendlindjet e tyre. Një pjesë e tyre nuk kanë ardhur me vite, dhe sipas kritereve akoma nuk dihet nëse do tu lejohet të regjistrohen.

Sipas rregullva të Eurostatit normalisht, regjistrim i popullatës dhe shtëpive kryhet në çdo dhjetë vjet.

Eurostat ka rregulla të standardizuara për zbatimin e regjistrimit dhe se nuk do të lejoj që regjistrimi të zbatohet sipas dëshirave politike. (INA)

Komentet

komentet