Teatri Kombëtar çel sezonin me komedinë shqiptare “Vdiq mbreti, rroftë mbreti”

0

“Vdiq mbreti, rroftë mbreti” vepra e shkruar nga Ferdinand Hysi me regji nga Elma Doresi vjen e para në skenën e Teatrit Kombëtar për këtë vit. Një punë që ka nisur prej kohësh për të sjellë në skenë një vepër shqiptare në muajin janar. Regjisorja Doresi ka bërë bashkë aktorë të njohur të teatrit, të cilët do të interpretojnë personazhet e komedisë së zezë. Këtë herë administrata shtetërore e parë me një sy ironik dhe grotesku vjen në skenën e Teatrit Kombëtar përmes shfaqjes “Vdiq mbreti, rroftë mbreti”, që do të ketë premierën mbrëmjen e datës 13 janar për të vijuar dhe net të tjera për publikun. Në komedinë që pritet të vijë premierë, një shef i vjetër ikën dhe një i ri vjen në drejtimin e punës. Lufta e tij e brendshme midis të vjetrës dhe të resë për të sjellë ndryshimin, emocionet dhe peripecitë që i duhen për të arritur qëllimet e tij ose ndryshe për të realizuar platformën e tij. Sipas regjisores Doresi e gjitha kjo në shfaqje do të vijë nëpërmjet një humori fin. E shkruar në vitet ’90, sipas regjisores Elma Doresi vepra teatrore i flet aktualitetit shqiptar. “Është historia jonë, është aktualiteti i cili është shumë i prekshëm këto vitet e tranzicionit. Me Ferdinandin ka qenë një bashkëpunim i mirë, që nga momenti që është përzgjedhur vepra. Por ndihmë në ndërtimin e veprës na ka dhënë dhe profesor Përparim Kabo, që ka dhënë sugjerimet e tij, në fakt dhe na ka dhënë një analizë filozofike ditën e parë të provave”, tregon Doresi disa ditë para premierës në TK. Administrata është në qendër të veprës “Vdiq mbreti, rroftë mbreti”, e cila vjen përmes dy shefave që luhen nga aktorët e njohur Bujar Asqeriu dhe Sokol Angjeli. “Do të kemi një shef “Ai” që ka vdekur, rol që luhet nga aktori Bujar Asqeriu dhe Sokol Angjeli që është shefi i ri, që ka marrë përsipër për të sjellë ndryshimin. I bëj thirrje administratës shtetërore edhe private të vijnë ta shikojnë shfaqjen”, shprehet mes të tjerave regjisorja Doresi. Kostumografe në shfaqje është Laedia Hajdari, kompozitor Elgit Doda dhe as. regjisore Ermela Ruri.

Aktorët në role

Rolet në vepër regjisorja ia ka besuar aktorëve Sokol Angjeli, Bujar Asqeriu, Ola Harizaj, Dritan Boriçi, Raimonda Bulku, Klod Hoxha, Devis Muka dhe Klea Huta. Regjisorja Elma Doresi tregon se si përherë do të jetë brenda stilit të saj dhe shijes së saj. “Këtu jemi në grotesk, por nuk mungon dhe simboli. Do të ketë një skenografi që do të ndryshojë, por dhe kostume që ndryshojnë, pra jam larg formës klasike”, pohon regjisorja për premierën, që do të jetë e para për këtë vit në skenën e Teatrit Kombëtar. Një vepër shqiptare që çel sezonin dhe regjisorja bën me dije se është përzgjedhur në “Netët e leximit të dramës shqipe 2”, që është zhvilluar në Teatrin Kombëtar. “Është një emocion i veçantë, duke nisur që do të jemi produksioni parë i Teatrit Kombëtar për këtë sezon të këtij viti. Është emocion të punosh me dramën shqipe. Vepra “Vdiq mbreti, rroftë mbreti” është përzgjedhur te “Netët e leximit të dramës shqipe 2” me dramaturg Ferdinand Hysi. Siç pohova e shkruar në vitet ‘90 i flet aktualitet shqiptar”, vijon më tej regjisorja Doresi. Me autorin Ferdinand Hysi regjisorja Doresi është hera e dytë që bashkëpunon në teatër. Ajo shprehet se veprat e shkruara prej tij përcjellin mesazhe universale. “Jam e bindur se ashtu siç komunikoi vepra e tij me Vjenën “Tri mendje në Ankand” po kështu do të komunikoj dhe “Vdiq mbreti, rroftë mbreti””, përfundon regjisorja që këto ditë po vijon punën në teatër.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Komentet

komentet