Teki Dërvishi rikthehet në Shkup, një rrugë do të mbajë emrin e tij

Qyteti i Shkupit do të rifreskojë listën me emra rrugësh, sheshesh e urash. Në propozimin më të ri janë përfshi edhe disa emra nga historia, politika,kultura, biznesi, arsimi dhe sporti i shqiptarëve, të cilët kanë kontribuar në periudha të ndryshme në këtë pjesë të Dardanisë së lashtë. Krahas emrave të shquar të kulturës dhe krijimtarisë, do të jetë edhe shkrimtari emblematik,Teki Dërvishi, emrin e të cilit do të mbajë një nga rrugët e Shkupit. Kjo është mirënjohja më e duhur që i bëhet këtij shkrimtari, i cili një pjesë të karrierës së tij e kishte kaluar pikërisht në Shkup.

Lidhja e Teki Dërvishit me Shkupin është kuptimplote, për arsye se ai pikërisht në këtë qytet gjeti strehë dhe mikëpritje të ngrohtë, pas ndjekjeve dhe burgosjeve në vitet 60-të, të shekullit të kaluar.
Ishte i angazhuar në gazetën “Flaka e vëllazërimit”, redaktor dhe reporter, me shkrime kryesisht mbi letërsinë dhe teatrin, nga fillimi i viteve 70-të, deri në vitin 1981, kur ai u ballafaqua me një sfidë të re (të shkruaj kundër Ismail Kadaresë), që ia kishin imponuar drejtuesit e atëhershëm të kësaj gazete.

Pas refuzimit që të bëhet zëdhënës i propagandës zyrtare maqedonase kundër shkrimtarit të madh shqiptar, Teki Dërvishi kthehet në Kosovë, ku kryen disa punë, fillimisht si korrektor në Shtëpinë Botuese ‘Rilindja’, pastaj drejtor në gazetën ‘Bota Sot’ për të vazhduar në drejtimin e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Teki Dërvishi vdiq me 29 qershor 2011 në Prishtinë. Ai është autor me pikëpamje mjaft të avancuara dhe te rafinuara mbi zejen e shkrimit dhe për rrjedhojë nga pena e tij dolën vepra nga të gjitha zhanret. Romanet: ‘Pirgu i Lartë’, ‘Padrona’,’Skedarët’, ‘Herezia e Dervish Mallutës’, ‘Palimsest për Dush Kusarin’; dramat: ‘Zbutësi i njerëzve me sy prej zymrydi’, ’Bregu i Pikëllimit’, ‘Pranvera e Librave’, ‘Eshtrat që vinë’, ‘Nesër nisemi për Parajsë’, ‘Kufiri me atdhe’, ‘Vojceku’, ‘Ku është Populli’; ‘Etje dhe borë’ (tregime); librat me poezi: “Nimfa”, “I varun me vargje për drunin e blertë”, “Shtëpia e sëmurë”, “Thashë”; “Qan e qesh Talia”, ese dhe kritika mbi teatrin.

Teki Dërvishi erdhi si fenomen krijues dhe mbetet i tillë për shumë arsye, sepse ai nuk ishte shkrimtar mode, ndonëse nuk ishte demode, ai nuk shkroi që t’i përshtatet kohës, ndonëse nuk ishte jashtë kohe, ai nuk i takonte oborrit letrar, por vepra e tij theu shumë gardhiqe që i kishte vendosur kritika zyrtare dhe fryma letrare e poltronëve oborrtarë. Teki Dërvishi erudit e shkrimtar, estet e publicist, eksperimentues e postmodernist, i cili kurrë nuk parapëlqeu t’i takonte shumicës, mbetet pengu më i madh i i një misioni të papërfunduar i botuesve, studiuesve e përgjithësisht lexuesve, sepse njohja më cilësore me këtë shkrimtar tash e në të ardhmen nuk mund të bëhet pa një ridefinim të statusit të tij në letrat tona dhe kjo uk mund të bëhet pa u botuar e plotë vepra e tij, në poezi, prozë, dramë, ese, kritikë (letrare dhe teatrore), publicistikë, dhe pa u studiuar me themel sistemi estetik e shkrimor i kësaj vepre./Gazeta FAKTI