Pas informacioneve për temperaturat e larta të fazës së portokalltë që pritet në katër ditët e ardhshme, qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi rekomandimet emergjente.
Në fazën portokalli do të hyjnë të gjitha rajonet në vend: Shkupi, Osogovë-Malesheva, Pellagonia dhe Ohër-Prespa, përcjell INA.
Prandaj, duke filluar nga dita e sotme, 13 korrik 2023 (e enjte), do të vlejnë rekomandimet për uljen e rreziqeve nga temperaturat e larta, sipas Planit të Veprimit të Ministrisë së Shëndetësisë për parandalimin e pasojave të valëve të të nxehtit në shëndetin e popullatës.
Sipas asaj që u miratua, Qeveria rekomandon:
Lirimin nga detyrimet e punës të grupeve më të rrezikuara të popullsisë: gratë shtatzëna dhe personat mbi 60 vjeç;
Në ambientet e kujdesit për fëmijët (kopshtet), nuk duhet të praktikohet aktiviteti fizik dhe fëmijët nuk duhet të nxirren jashtë në mes të orës 11:00 dhe 17:00;
Njësitë e vetëqeverisjes lokale, Kryqi i Kuq dhe Qendrat për Çështje Sociale, në rajonet e prekura nga vala e të nxehtit, të ofrojnë ndihmë për personat e vetmuar, të moshuar, të dobët dhe të pastrehët.(INA)