Tentativë grabitje në një bankë në Durrës, 24 vjeçari i drejton thikën arkëtares

0

Një 24 vjeçar në Durrës ka tentuar të vjedhë një bankë të nivelit të dytë fare pranë stacionit të trenit të qytetit bregdetar.
Ngjarja ka ndodhur pak minuta më parë. Policia ka ndërhyrë me shpejtësi dhe ka arritur të neutralizojë të riun, shtetasin Kreshnik Margjoni, 24 vjeç. I riu ka hyrë në bankë dhe në dorë mbante një thikë. Nën kërcënimin e armës së ftohtë, i riu ka tentuar të vjedhë xhiron ditore duke kanosur punonjësen e arkës.

Punonjësit e tjerë të bankës kanë lajmëruar policinë e cila ka ardhur dhe ka arrestuar të riun.

NJOFTIMI I POLICISË

Kërcënon me thikë punonjësit e bankës, arrestohet në flagrancë nga Policia.
Më datë 13.04.2018, rreth orës 11:10 në lagjen Nr.4 Durrës, në ambientet e një banke të nivelit të dytë, shtetasi K.M. 24 vjeç, banues në Durrës, ka tentuar të vjedhë me dhunë, nën kërcënimin e një thike një sasi parash.

Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar Efektivët e Policisë, të cilët kanë bërë të mundur kapjen e autorit, sekuestrimin e thikës dhe të parave.

Shtetasi i mësipërm është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Durrës për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës./Gazeta Express