SPB në Shkup njoftoi se ka zbardhur ngjarjen penale nga 01.04.2024 në Haraçinë të Shkupit, kur është raportuar se kryetari i komunës së Haraçinës, Ridvan Ibraimi dhe persona të tjerë të punësuar në komunë, derisa kanë qenë duke inspektuar punët ndërtimore, janë sulmuar me armë zjarri nga një person i armatosur.
Në këtë rast janë shkrepur plumba që kanë goditur E. S. (39) dhe A. A. (22), të punësuar si pjesë e stafit të kabinetit të kryetarit të komunës.
Policia njofton se pas hetimit të plotë të rastit përmes veprimeve të shumta operative taktike dhe hetimore është konstatuar identiteti i kryerësit të sulmit.
“Pas kompletimit të plotë të materialeve zyrtare dhe raporteve të kryera të ekspertizës, me datë 16.07.2024, në KSHP Shkup është paraqitur kallëzim penal kundër M.A. (36) për veprën e kryer “vrasje e mbetur në tentativë”, e parashikuar dhe e dënueshme sipas nenit. 123 në lidhje me nenin 19 të K3”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Kjo nuk është përpjekja e parë për të frikësuar kryetarin e kësaj komune në rrethinën e Shkupit. Ai disa herë ka raportuar në polici se ka qenë cak i sulmeve dhe kërcënimeve verbale dhe fizike. Ibrahimi është ankuar në maj të vitit të kaluar se dikush e ka kërcënuar me jetë derisa ai nuk ishte i pranishëm në ndërtesën e komunës. Nga hetimet rezultoi se ka qenë një bashkëfshatar, i cili e ka kërcënuar pasi nuk ka qenë i kënaqur me trajtimin e një çështjeje lidhur me shfrytëzimin e tokës shtetërore. Kërcënimet i ka bërë para disa personave në komunë. Denoncim në Ministrinë e Brendshme ka pasur edhe në shtator të vitit 2022, kur kryetari i komunës ka njoftuar se është sulmuar fizikisht në ambientet e bashkisë.(INA)