Kuvendi i Kosovës sot do të vazhdojë seancën e dhjetë për konstituimin e tij dhe për zgjedhjen e kryeparlamentarit. Seanca është caktuar në ora 10:00.
Ky është tentimi i radhës, pas gjashtë dështimeve për zgjedhjen e Albulena Haxhiut, të propozuar si kandidate nga Lëvizja Vetëvendosje, por që nuk mori votat e nevojshme.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, ka shprehur shpresën se gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës do të ketë ndryshim qëndrimi nga ana e PDK-së, LDK-së, AAK-së e Nismës dhe të votohet kryeparlamentari.
“Uroj që të ndërrojë qëndrim opozita në mënyrë që të zhbllokohet procesi”, deklaroi Murati para hyrjes në Kuvend për EO.
Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj theksoi se partia e tyre do të vazhdojë ta mbajë qëndrimin e njëjtë sa i përket votimit për kandidaten e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu.
Qalaj ka thënë se edhe sa i përket votimit të fshehtë, nuk do të pranohet. “Sa i përket PDK-së, qëndrimi është i njëjtë. Nuk ka votë për njeri që nuk është dinjitoz për pozitën e kryetarit të Kuvendit”, ka thënë ai.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka deklaruar se është e papranueshme çdo përpjekje për të ndryshuar mënyrën e votimit gjatë procesit të konstituimit të Kuvendit.
Ajo theksoi se LDK-ja ka qenë gjithmonë e qartë në qëndrimin e saj dhe se “nuk jemi ne ata që duhet të ndërrojmë qëndrim”.
Sipas saj, ndryshimi i mënyrës së votimit mund të bëhej vetëm në fillim të procesit dhe jo në fazën kur votimi është duke u zhvilluar.(INA)