shkruan: Bahri Cani
Termet politik, mbështetje e fashistëve dhe rezultate skandloze për partitë në pushtet – ndryshe nuk ke si i quan rezultatet e sotme zgjedhjeve në landet lindore të Gjermanisë, Tyringi dhe Saksoni. Fare në fillim të them se partitë në pushtet në të dyja këto landet kanë fituar së bashku më pak se 15% të votave!!!
Sidoqoftë, Partia Alternativa për Gjermani, AfD, e cila nga gjykatat është shpallur pjesërisht si parti me përbërje fashiste, ka fituar më së shumti vota në Tyringi, me rreth 31,2%, që është rreth shtatë për qind më shumë se partia e dytë në zgjedhje, CDU. Në vendin e tretë janë majtistët e Lëvizjes Sahra Wagenknecht (e cila konsiderohet si Lëvizje që ka “mirëkuptim” për Putinin dhe Rusinë), por ajo që në veçanti bie në sy janë rezultatet skandaloze të partive në pushtet. Partia SPD e kancelarit Scholz në Tyringi ka fituar më pak se 7%, ndërsa ekologjistët dhe liberalët, sipas të gjitha gjasave, nuk do të futen fare në parlamentin e Tyringisë.
Partitë në pushtet (SPD, Ekologjistët dhe Liberalët) kanë shënuar rezultate skandaloze edhe në Saksoni. SPD ka fituar pak më shumë se 8,4 % ndërsa ekologjistët rreth 5,3%. Liberalët as këtu nuk do të futen në parlament. Nga ana tjetër AfD ka fituar edhe këtu mbi 30%. Megjithatë në Saksoni partia me numrin më të madh të votave është CDU me rreth 31,6%. Partia e tretë për nga numri i votave edhe këtu është Lëvizja e Sahra Wagenknecht. Sa i përket qeverisjes, të gjitha partitë kanë refuzuar bashkëpunimin me AfD, ndaj do të jetë interesante të shihet si do të krijohen qeveritë.
Sidoqoftë, zgjedhjet në këto dy lande të Lindjes janë përfundimisht sinjali i fundit për partitë në pushtet që të ndryshjojnë diçka në politikën e tyre. Ndryshe, do të përjetojnë humbje shumë të thella edhe në zgjedhjet e tjera që pasojnë. Zgjedhjet e radhës në lande janë në Brandenburg me 22 shtator, ndërsa zgjedhjet në disa lande të tjera dhe ato në nivelin federal mbahen vitin e ardhshëm.