Tërmeti i 1963-shit në Shkup: e kishin shqiptarët, u kaloi maqedonasve!

Iliria News Agency
Iliria News Agency

14/02/2023

Qyteti i Shkupit pas tërmetit të vitit 1963, që shkatërroi më shumë se 80 për qind të objekteve të asaj kohe, u rindërtua nga ndihmat që erdhën në këtë vend nga shumë shtete të botës, duke marrë kështu epitetin ‘Qyteti i Solidaritetit’. Kjo ka bërë që të shndërrohet në një nga qytet më moderne të kohës me zgjidhjet arkitekturore.

Nga tërmeti me fuqi prej 6.1 shkallësh të Rihterit që goditi Shkupin më 26 korrik të vitit 1963, humbën jetën 1.070 persona, ndërsa rreth tre mijë persona morën lëndime.

Mihaill Garevski, ish-drejtor i Institutit për Inxhinieri të Tërmeteve dhe Sizmologjisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se objektet në Shkup para tërmetit të 1963-tës nuk plotësonin as edhe një standard të vetëm për sa i përket rezistencës ndaj tërmeteve.

“Para tërmetit të vitit 1963 nuk ekzistonte kurrfarë rregullative për projektim sizmik të objekteve, jo vetëm në Maqedoni, por në nivel të të gjithë Jugosllavisë së atëhershme. Kjo, madje, është për t’u habitur për një vend që ndodhet nën pllaka të lëvizshme në aspektin sizmik dhe që gjithmonë në intervale kohore prej 100 apo 300 vjetësh ka pasur tërmete. Si 11-vjeçar në atë kohë mbaj mend se 80-90 për qind e objekteve, u shkatërruan apo pësuan dëmtime”.

“Kujtoj se vetëm 20 apo e shumta 30 minuta pas tërmetit një veturë erdhi e mori babanë nga shtëpia, pasi ai ishte profesor në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe duhej të verifikonte gjendjen faktike të digës së Matkës, pasi çdo dëmtim mund të shkaktonte përmbytje të mëdha”, thotë Garevski.

Ai thekson se me rëndësi të veçantë për rimëkëmbjen e Shkupit ishte ndihma e koordinuar që erdhi nga të gjitha vendet e botës, ku mbi bazë të konkursit që shpallën Kombet e Bashkuara, fitoi projekti i arkitektit japonez, Kenzo Tange, me 60 për qind, dhe 40 për qind të tjera skuadra e arkitektëve nga ish-Jugosllavia për zhvillimin e qytetit të Shkupit.

“Në atë kohë, Shkupi kishte zgjidhjet më moderne në planin urbanistik në Evropë. Pse e them këtë?! U ndërtua stacioni hekurudhor mbi urë dhe kjo zgjidhje u tregua se jo vetëm që është moderne, por dhe shumë praktike siç është në Japoni, nën projektimin e arkitektit japonez Kenzo”, shprehet Garevski.

Isak Idrizi, profesor në Fakultetin e Ndërtimtarisë në Universitetin “Nëna Terezë” në Shkup, thotë për Radion Evropa e Lirë se Shkupi u ndërtua si një nga kryeqendrat më moderne të kohës në saje të ndihmës që vendi mori nga vendet e ndryshme të botës.

“Kemi shumë lagje që si shenjë falënderimi i kemi emërtuar në bazë të ndihmës që kemi marrë nga shtetet e ndryshme. Kemi lagjen ‘John Kennedy’ që e dimë të gjithë, u emërtua kështu pasi kur ndodhi tërmeti, vetë presidenti Kennedy urdhëroi Departamentin e Mbrojtjes të angazhojë Agjencinë Ndërkombëtare, USAID, që të ndërmarrë aksione për ta ndërtuar Shkupin, duke dërguar personel profesional në çdo lëmi, materiale për ndërtimin e shtëpive të parafabrikuara, si dhe qytete të përkohshme me tenda për të ndihmuar popullatën e cila mbeti pa strehë”, tregon Idrizi.

Ai shton se shumë objekte njihen në bazë të shtetit që ka kontribuar.

“E kemi Poliklinikën e njohur të Bukureshtit që është quajtur në saje të ndihmës që ka ardhur nga Rumunia, pastaj kompleksin e Barakave Finlandeze dhe atyre Suedeze, kompleksin e ndërtesave ruse etj”, thotë ai.

Idrizi dhe Garevski ndajnë qëndrimin se Shkupi deri në vitet ‘90 të shekullit të kaluar ishte një qytet që plotësonte standardet e vendeve të zhvilluara për sa i përket harmonisë arkitekturore dhe funksionalitetit.

Gjithçka mori tatëpjetën me ekspansionin e ndërtimeve pas pavarësisë së shtetit.
Veçanërisht me ndërtimin e shumë objekteve në stilin barok, si pjesë përbërëse e projektit “Shkupi 2014” gjatë Qeverisë së ish-kryeministrit Nikolla Gruevski.

Shkupi, pas tërmetit të vitit 1963 me zgjerimin e qytetit që kontribuoi në përqendrimin e popullatës maqedonase, si dhe shpërnguljen e shqiptarëve, ndryshoi edhe për nga përbërja demografike.

Skënder Asani, drejtor i Institutit për Trashëgimi Kulturore dhe Shpirtërore, thotë për Radion Evropa e Lirë se në bazë të dokumenteve të siguruara nga Arkivi i Maqedonisë së Veriut menjëherë pas tërmetit, nga Shkupi janë shpërngulur 20 mijë shqiptarë, pjesa më e madhe e të cilëve janë nisur drejt Turqisë, Kosovës, Kroacisë etj.

“Në Shkup, para tërmetit ka pasur 130 mijë deri 150 mijë banorë, por pas tërmetit popullsia në Shkup pësoi rritje enorme që solli edhe deri te ndryshimi etnik i strukturës së popullatës. Popullsia shqiptare para tërmetit arrinte deri në 50 për qind, por pas tërmetit përqindja e popullsisë shqiptare ra në mënyrë enorme, kurse e asaj maqedonase u rrit”.

Pas ndihmës ndërkombëtare në Shkup u krijuan lagje të tëra me popullsi sllave që erdhën nga Evropa Juglindore po edhe Greqia, ndërkohë lagje të tëra u shpërngulën siç ishin lagjet shqiptare me përkatësi katolike në anën e majtë të lumit Vardar. Ata shkuan Kroaci, kurse shumë shqiptarë mysliman u nisën në Turqi dhe Kosovë dhe nuk u kthyen kurrë, për çka flasin dhe dokumentet në Arkivin e Maqedonisë”, shpjegon Asani.

Tërmeti i vitit 1963 shkatërroi dhjetëra xhami mbi themelet e së cilave u ndërtuan objektet e institucioneve të shtetit, Myftina Shkupit, në kuadër të Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut.

Myftiu i Shkupit, Qenan Ismaili, thotë për REL se 24 xhami vetëm në qendër të Shkupit, të cilat pësuan dëmtime gjatë tërmetit ose edhe më herët, qëllimisht nuk u përfshinë në planin e ri të Shkupit. Ato u lanë që koha t’i dëmtojë në atë masë sa të shndërrohen në gërmadha dhe më vonë mbi to të ndërtohen objekte me karakter publik.

“Në vendin e tyre, deri vonë ishte zbrazëtira e gërmadhave të xhamisë Ibni Pajko ku më pas u ndërtua Filarmonia e Maqedonisë. Tani ku është objekti i Televizionit Publik ka qenë xhamia Vardar Teqe… Do theksuar se kah fundi i vitit 1989 u humbën dhe gjurmët e fundit të xhamisë së Faik Pashës, objekt ky që në tërmetin e 1963 pësoi dëmtime të shumta dhe për 26 vite qëndroi në gërmadha, ku tani është kompleksi i gjykatave në Shkup. Para tërmetit, kjo xhami ishte në mes të një lagjeje të madhe shqiptare. Pra, shumë xhami qëndruan me vite si gërmadha për t’u rrënuar më pas tërësisht”, thotë Ismaili.

Aktualisht, akrepat e ndalur në orën 5 e 17 minuta te Stacioni i vjetër hekurudhor, i cili është shndërruar në muze, mbeten simboli që kujton tërmetin e vitit 1963 në Shkup.

Në këtë muze janë të ekspozuara shumë fotografi, kronika të gazetarëve ndërkombëtarë dhe të vendit mbi tragjedinë që solli tërmeti i vitit 1963, si dhe gjësende që simbolizojnë Shkupin./REL/

TË FUNDIT

ME TE LEXUARA

LEXO MË SHUMË

IMG_1328

‘Telefonata në Beograd’- Kasami: Si BDI nuk lejoi Kurtin në takimin në Berlin

Maksim Dimitrievski

Dimitrievski: Për një natë bëhen pronarë dhe blejnë Mazda

Dimitar Kovacevski

Kovaçevski: E di ku kemi gabuar, por tani ajo është përparësia ime më e madhe

bilall kasami

VIDEO/ Kasami: Funksionarët e BDI-së në Listën e Zezë të SHBA-së, shkak për përçarje në Frontin Europian

gordana-siljanovska-1392x899

Siljanovska zotohet se do t’i mbroj interesat kombëtare

IMG_20240420_163106

Ndërroi jetë Jonuz Jakupi nga Kumanova, njeriu që ka vepruar për çështjen kombëtare

Sanja-Llukarevska-780x439-1-750x430-1

Llukarevska: Do e dyfishojmë ndihmën ndaj kompanive vendore

stevce jakimovski

Jakimovski: Do të kujdesemi për pensionistët

Ministria e Shëndetësisë

Ligji për shërbim të lartë për të ndaluar emërtimet partiake mbetet në harrese

INFO

NA NDIQ