Ekspertët e Bashkimit Evropian kanë testuar të martën Urën e Ibrit.
Në orët e pasdites, ura e mbi lumin Ibër në Mitrovicë i është nënshtruar testimeve dhe inspektimeve teknike. Krahas kësaj, janë testuar edhe strukturat përreth urës, me qëllim vlerësimin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë së saj.
Në anën tjetër, Ministria e Infrastrukturës nuk ishte informuar për këtë testim.
Zëvendësministri në detyrë, Hysen Durmishi, ka thënë se ministria ka kryer testimet vitin e kaluar dhe se për testimin e së martës nuk kanë qenë të informuar.
“Jo zyrtarisht kemi informacion se një kompani e kontraktuar nga Zyra e BE-së i ka kryer këto testime. Ne nuk kemi pasur asnjë njoftim se sot do të ndodh sot. Ne si ministri i kemi përfunduar testimet vitin e kaluar. I kemi marrë raportet me rezultate, ura është stabile për çfarëdo lloj ngakese që mund të kalojë mbi urë. Me siguri se këto testime po kryhen për t’i verifikuar të gjeturat tona”, ka deklaruar Durmishi.
Rreth hapjes së urës së Ibrit, ka pasur deklarata vitin e kaluar nga autoritetet e qeverisë shtetërore në Kosovë, madje matjet e inspektimet e bëra vitin e kaluar ishin në kohën kur pretendimet për hapjen e mundshme të urës ishin shtuar.
Ura e Ibrit vazhdon të jetë e mbyllur, por testimet e BE-së a mund të jenë sinjal për një hapje të saj?
Kushtet e përmbushura?
Analisti Blerim Burjani, thotë se është e pakuptimtë mbajtja e kësaj ure të mbyllur për qarkullim.
Burjani në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se kushtet për hapjen e saj janë përmbushur.
“Gjendja është stabile dhe nuk ka asnjë lloj tensioni. Prandaj, nuk ka asnjë arsye që ura të mos jetë e qarkullueshme për automjetet. Deri më tani, ka qenë e pakuptimtë mbajtja e kësaj ure të mbyllur për qarkullim.
Mendoj se kushtet për hapjen e saj janë përmbushur që para gjashtë muajsh. Megjithatë, komuniteti ndërkombëtar e ka mbajtur urën të mbyllur pa ndonjë arsye apo bazë të qëndrueshme”, deklaron Burjani.
“Kjo situatë nuk ka më kuptim. Të gjithë qytetarët dhe komunitetet duhet të kenë mundësi të lëvizin lirshëm në të gjithë territorin e Kosovës”, shton analisti.
Ura e Ibrit ishte bllokuar në vitin 1999, Mitrovica ishte ende një qytet i pandarë.
Ndarja në dy komuna u zyrtarizua në vitin 2013, kur u krijua Mitrovica e Veriut si komunë e re.
Ndërkohë, në urën e Ibrit filluan të vendosen barrikada në vitin 2011. Kështu, rihapja e urës u bë çështje diskutimi në dialogun Kosovë- Serbi.