Testimi i çipit Neuralink pritet të nisë te njerëzit brenda gjashtë muajve, deklaroi Musk

Elon Musk tha të mërkurën se pret që një çip truri me valë i zhvilluar nga kompania e tij Neuralink të fillojë testimet klinike te njerëzit brenda gjashtë muajve, pasi kompania humbi afatet kohore të përcaktuara prej tij.

Kompania po zhvillon ndërfaqe të çipave të trurit që thotë se mund t’ju mundësojë pacientëve me aftësi të kufizuara të lëvizin dhe të komunikojnë përsëri, derisa Musk shtoi të mërkurën se do të synojë gjithashtu rikthimin e shikimit.

Me bazë në Zonën e Gjirit të San Franciskos dhe Austin, Teksas, Neuralink në vitet e fundit ka kryer teste te kafshët derisa kërkon miratimin nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave e SHBA-së (FDA) për të filluar testimet klinike te njerëzit.

“Ne duam të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm dhe të sigurt se do të funksionojë mirë përpara se të vendosim një pajisje te njeriu”, tha Musk gjatë një përditësimi të shumëpritur publik mbi pajisjen.

Duke folur me një turmë të ftuarish të zgjedhur në një prezantim në selinë e Neuralink që zgjati gati tre orë, Musk theksoi shpejtësinë me të cilën kompania po zhvillon pajisjen e saj.

“Progresi në fillim, veçanërisht kur zbatohet për njerëzit, do të duket ndoshta jashtëzakonisht i ngadalshëm, por ne po bëjmë të gjitha gjërat për ta sjellë atë në shkallë paralelisht”, shtoi ai. “Pra, në teori, përparimi duhet të jetë eksponencial”.

Dy testimet e para që parasheh Neuralink janë rikthimi i shikimit dhe mundësimi i lëvizjes së muskujve tek njerëzit që nuk mund ta bëjnë këtë, tha Musk.

“Edhe nëse dikush nuk ka pasur kurrë shikim, edhe sikur të ketë lindur i verbër, ne besojmë se mund të rivendosim shikimin”, tha ai.