Tetë eurodeputetë letër Ramës për ndryshimet në Kodin Zgjedhor: Prisni opinionin e “Venecias”

0

Tetë eurodeputetë të Parlamentit Evropian, anëtarë të Komisionit të Jashtëm, i kanë dërguar sot një letër zyrtare Kryeministrit Edi Rama për ndryshimet e Kodit Zgjedhor në Parlament.

Ata bëjnë thirrje që kryeministri Rama të presë derisa të flasë Komisioni i Venecias. Eurodeputetët shprehen se mazhoranca duhet të respektojë këshillat e Komisionerit Evropian për Zgjerimin, ndërsa theksojnë se tërheqja nga votimi i ndryshimeve është e rëndësishme për rrugën evropiane të Shqipërisë, raporton ABC News.

Gjithashtu 8 eurodeputetët bëjnë thirrje që Kryeministri Edi Rama të vendosë të parin interesin e demokracisë shqiptare dhe perspektivën e saj evropiane.

Letra e plotë e 8 eurodeputetëve të Komisionit të Jashtëm në Parlamentin Evropian:

Shqetësime për ndryshimet në Kodin Zgjedhor në pritje të Opinionit të Komisionit të Venecias.

Bruksel, 28 Tetor 2020

I dashur Kryeministër Rama,

Ne, Anëtarët nënshkrues të Partisë Popullore Evropiane në Parlamentin Evropian, po ju shkruajmë me shqetësimin më të thellë në lidhje me zhvillimet e fundit legjislative në vendin tuaj.

Ju e dini që Grupi i Partisë Popullore Evropiane gjithmonë ka mbështetur dhe shoqëruar rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Qershorin e kaluar ne bashkë-iniciuam një rezolutë që u miratua me mbështetje të madhe ndërpartiake, duke rekomanduar hapjen e negociatave të pranimit në BE sapo Shqipëria të përmbushë 15 kushtet e vendosura nga Këshilli Europian në 15 Mars 2020.

Më e rëndësishmja midis këtyre kushteve është një reformë e mirëfilltë zgjedhore dhe zbatimi i saj i duhur në zgjedhjet tuaja të ardhshme duke filluar me 25 Prill 2021.

Ne u tronditëm kur mësuam se ju thyet Marrëveshjen e 5 Qershorit me Opozitën në gërmën dhe në frymën e saj, përmes miratimit të ndryshimeve të njëanshme në Kodin Zgjedhor me qëllim që të të përfitoni në shpërndarjen e mandateve parlamentare.

Ne jemi vënë në dijeni se Kryetari i Shtetit tuaj i ka kërkuar Komisionit të Venecias një opinion mbi këto ndryshime dhe se Komisioneri Evropian për Zgjerimin ju ka këshilluar në mënyrë të përsëritur që të tërhiqeni nga votimi i ndryshimeve, të prisni opinionin e Komisionit të Venecias dhe t’i përmbaheni atij opinioni.