Tetovë, rrënohet shtëpia që pengonte hapjen e “Bllgaoja Toskës”

Është eliminuar sot edhe pengesa e fundit për hapjen e bulevardit “Bllagoja Toska” në Tetovë. Bëhet fjalë për shtëpinë e fundit, e cila duhej të rrënohej, ku edhe jetonte familja Rushiti, e që patën kontest rreth vlerësimit të shtëpisë.

Pas tentimit të para një muaji për tu rrënuar kjo shtëpi, komuna, kësaj familjeje i dha edhe një afat prej disa ditësh, me mundësi që të gjejnë banesë për tu shpërngulur, ndërsa sot, larg syve të mediave, është larguar familja nga shtëpi dhe e njëjta është rrënuar.

Pas heqjes së kësaj pengese, tashmë do vazhdojnë punimet për dy muret mbajtëse të urës që do lidh dy krahët e rrugës Bllagoja Toska.

“Me eliminimin e problemit të fundit, tashmë do vazhdojnë punimet tek ura ku do duhet të ndërtohen dy muret mbajtëse por do vazhdohet edhe me tamponimin e rrugës. Në pranverë kur të krijohen kushte atmosferike do bëhet edhe asfaltimi i komplet trasesë”, deklaroi Bilall Kasami. Kryetar i komunës së Tetovës.