Thaçi: Jap dorëheqje nëse konfirmohet aktakuza

0

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë të hënën gjatë adresimit ndaj publikut se nëse konfirmohet aktakuza e Prokurorit të Specializuar kundër tij, atëherë ai do të japë menjëherë dorëheqje nga pozita që ka.

Thaçi ka thënë se gabime politike edhe mund të ketë bërë, por krime të luftës kurrë.

“Nëse do të mund të kthehesha në vitet e errëta të (v.j. ish-liderit serb, Sllobodan) Millosheviqit, do ta bëja gjënë e njëjtë, duke iu përgjigjur plumbit të armikut me plumb të etur për liri dhe duke mos i bërë keq asnjë serbi, romi apo qytetari shqiptar”.

Thaçi ka thënë mes tjerash se ai do të ishte njeriu më i lumtur nëse do ta shihte se komuniteti ndërkombëtar do të aplikonte standardet e njëjta ndaj Kosovës dhe Serbisë, kur është fjala për krimet e luftës.

“Fatkeqësisht nuk e shohim këtë standard dhe në mënyrë proporcionale, e shoh të kundërtën. Andaj jemi këtu sot. Serbia avancon në rrugën e saj të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, derisa Kosova nuk e gëzon as të drejtën e lëvizjes së lirë. Unë nuk shoh komplot kundër Kosovës, mirëpo qasja e ndryshme nga komuniteti ndërkombëtar ndaj këtyre dy kombeve është fakt”, ka deklaruar Thaçi.

Ky është adresim i parë publik i Thaçit që nga njoftimi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë më 24 qershor, se kundër presidentit të Kosovës ka paraqitur aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Sipas njoftimit, Prokurori më 24 prill ka dërguar aktakuzën për shqyrtim me dhjetë pika, në të cilën Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe “të tjerë”, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.