Thaçi: Me PDSH-në në Qeveri do të aplikohet demokracia konsensuale

0

Mbrëmë (29 qershor) kryetari i PDSH-së zhvilloi takime në disa fshatra të Komunës së Bërvenicës dhe një nëndegë të Tetovës.

“Me PDSH-në në qeveri do të aplikohet demokracia konsensuale e unë si zëvendëskryeministër me të drejtë të vetos do të sigurohem që buxheti të ndahet drejtë dhe proporcionalisht”, deklaroi Thaçi në Miletinë të Bërvenicës.

Më pas vijoi edhe takimi në fshatin Radiovcë – komuna e Bërvenicës, nga ku vuri theks të veçantë në përmirësimin e sistemit shëndetësor nëpër vendbanimet shqiptare.

“Epidemia krijon vështirësi. Fatmirësisht, pjesa më e madhe e njerëzve të prekur e kalojnë atë por e keqja është se ajo len pasoja tjera pas. Me ardhjen e PDSH-së në qeverisje dhe unë si zëvendëskryeministër do të sigurohem që buxheti i shtetit të kanalizohet drejt përforcimit të sistemit shëndetësor në vendbanimet shqiptare. Kjo do të jetë prioritet që në ditët e para”, theksoi Thaçi në Radiovcë.

Gjithashtu Thaçi i pranishëm ishte edhe në fshatin Tenovë të komunës së Bërvenicës, nga ku premtoi se kanë kuadro si PDSH për ti ngritur shqiptarët në nivelin e merituar.

“Ne si PDSH kemi plan të detajuar ekonomik dhe politik. Kemi kuadrot për ta realizuar që t’i ngritim shqiptarët në nivelin e merituar. Nga funksionarët do të kërkoj raport dhe transparencë totale ndaj qytetarëve”, tha Thaçi.

Dhe për fund kryetari Thaçi takimet i përfundoi në nëndegën Teteks 3 në Tetovë.

“Rritja e qëndrueshme ekonomike është rëndësi parësore për PDSH-në. Ne do të rritim luftën kundër hajdutëve, bandave e kështu me radhë. Askush nuk do t’i pengojë firmat të operojnë dhe zhvillohen. Kjo do të tërheqë kapitalin e huaj privat”, pëfundoi Thaçi.