Thaçi në Tiranë, takime me Ruçin dhe Kryemadhin

0

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, priti sot në Kryesinë e Kuvendit Menduh Thaçi, Kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni. Gjatë takimit u diskutua mbi rakordimin e qëndrimeve mbi zhvillimet e fundit në Maqedoni.

Ruçi vlerësoi përpjekjet inkurajuese të Qeverisë së Maqedonisë në mbështetje të sundimit të ligjit, përmbushjes së reformave strukturore dhe rimarrjes së kursit Euro-Atlantik të vendit, forcimit të bashkëpunimit rajonal dhe zgjidhjes së çështjeve me fqinjët.

Ai vlerësoi rolin konstruktiv dhe aktiv të faktorit politik shqiptar në këtë proces dhe nënvizoi se Shqipëria inkurajon kohezionin e faktorit politik shqiptar që të bëhet protagonist i ndryshimeve transformuese që i mundësojnë vendit fqinj të përparojë në procesin e anëtarësimit euroatlantik.

Kryetari i PDSH, Menduh Thaçi, falenderoi z. Gramoz Ruçi për takimin dhe mbështetjen e Shqipërisë në këtë fazë të rëndësishme të zhvillimeve në Maqedoni. Ai vuri në dukje se faktorët politikë shqiptarë në Maqedoni janë në një mendje dhe po punojnë bashkarisht për të nxitur shqiptarët të marrin pjesë, pa kushte, në referendumin e 30 shtatorit. “Këtë kërkojnë edhe aleatët strategjikë të shqiptarëve, ShBA dhe BE. Vota është mekanizmi për plotësimin e aspiratave të shqiptarëve në Maqedoni, ndërsa bojkoti nuk u shërben këtyre aspiratave”, theksoi Thaçi.

Thaçi u prit edhe nga kryetarja e LSI

Kryetarja e LSI-së znj. Monika Kryemadhi priti në një takim në selinë e LSI-së, Kryetarin e PDSH-së z. Menduh Thaçi, me të cilin bisedoi rreth zhvillimeve politike ne të dy vendet tona dhe për forcimin e bashkëpunimit midis dy partive në veçanti dhe faktorit shqiptar në tërësi.

Z.Thaçi informoi Kryetaren e LSI-së për zhvillimet politike në Maqedoni , në mënyrë të veçantë për përgatitjet për Referendumin, duke evidentuar kompaktësinë e faktorit politik shqiptar në Maqedoni, si një faktor i rëndësishëm jo vetëm për stabilitetin, por edhe për integrimin euroatlantik të saj.

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi pasi e falënderoi z.Thaçi për ekspozenë që ai bëri, theksoi se edhe për LSI-në stabiliteti i Maqedonisë është i rëndësishëm, ashtu siç është i rëndësishëm për rajonin tonë anëtarësimi i Maqedonisë në NATO dhe në këtë kontekst ajo përshëndeti dhe vlerësoi rolin e faktorit politik shqiptar në Maqedoni si shumë të rëndësishëm.

Në vijim të dy kryetarët folën për bashkëpunimin e mirë që ekziston midis dy partive dhe domosdoshmërinë e forcimit të bashkëpunimit në të ardhmen.