Thaçi: Synojë postin e zv.kryeministrit, shqiptarët diskriminohen në ndarjen e buxhetit

0

Gjatë ditës së djeshme, kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi zhvilloi takime në disa fshatra të Komunës së Vrapçishtit dhe e përmbylli në Kallnik, të komunës së Bogovinës.

Thaçi fillimisht vizitoi fshatin Gjurgjevisht, nga ku u premtoi banorëve se përmes postit të zv.kryeministrit, do të sigurojë ndarje të drejtë të buxhetit të shtetit.
“Ne duhet të arrijmë te buxheti i shtetit. Pozita që e synoj është kryesisht e lidhur me këtë. Shqiptarë diskriminohet gjatë ndarjes së buxhetit ndërsa unë si zëvendëskryeministër do të sigurohem të marrim hisen tonë që na takon”, theksoi Thaçi.

“Me ardhjen e PDSH-së në pushtet sistemi shëndetësor i spitaleve dhe ambulantave në vendbanimet shqiptare do të forcohet. Ky është prioritet i ynë duke pasur parasysh pandeminë. Do të sigurohemi që këto spitalet të kenë mjetet e nevojshme dhe kuadrot e profesionalizuara”, deklaroi Thaçi në Negotinë.

Menduh Thaçi bashkë me Zemri Asanin – kandidat për deputet në zonën 6 vizituan edhe fshatin Kallnik.
“Nëpërmjet mekanizmit të vetos unë si zëvendëskryeministër dhe PDSH në qeverisje infrastruktura në vendbanimet shqiptare do të zhvillohet tërësisht. PDSH do të sigurojë një ambient më tërheqës në mënyrë që kapitali i huaj privat të investohet në zonat tona dhe të krijohen vende të reja të punës”, tha Thaçi.