“The Economist”: Një rend i ri në Europë, kush po del në krye?

ina-online
ina-online

10/02/2024

Lindja është ngritur, Gjermania ka rënë, Britania ka dalë jashtë, shkruan The Economist

Futbolli është një lojë ku “njëzet e dy burra ndjekin një top për 90 minuta, dhe në fund, gjermanët fitojnë gjithmonë”, ka thënë lojtari anglez, Gary Lineker. Për dekada të tëra, Europa është udhëhequr në një mënyrë shumë të parashikueshme.

Teksa është rritur nga një bllok me 6, 12 dhe më pas me 27 anëtarë, mënyra e vendimmarrjes ka qenë e njëjtë: shtetet anëtare kërkonin kompromise mes tyre, derisa Franca dhe Gjermania merrnin një vendim, që më pas pranohej nga të gjithë.

Por modeli i vjetër i mbizotërimit të këtyre dy anëtarëve më të mëdhenj të bllokut ka filluar të luhatet prej disa kohësh. Ndërsa Europa po përballet me kriza të njëpasnjëshme, në kontinent po merr formë një gjeografi e re, më pak e ngurtë.

Tre vjet pandemi, dhe më pas lufta në Ukrainë, kanë shkaktuar ndryshime të mëdha në Europë, përfshirë edhe në baraspeshën e pushtetit. Mbrojtja ushtarake dhe zgjerimi drejt lindjes, që dikur ishin politika të fjetura, tani janë bërë përparësi, duke u dhënë një zë më të fuqishëm fqinjëve të Ukrainës në Europën Qendrore.

Rritja e Kinës dhe mundësia e rikthimit në pushtet të Donald Trump në Amerikë, ka bërë që BE-ja të rimendojë strategjinë e saj ekonomike, në përputhje me pikëpamjen franceze.

Shqetësimet klimatike kanë nxitur nismat në grup, një qasje e parapëlqyer nga institucionet thuajse federale të BE-së në Bruksel. Dhe nga Finlanda në Francë, populistët në të djathtën e skajshme, po fitojnë gjithnjë e më shumë ndikim përpara zgjedhjeve të Parlamentit Europian në qershor.

Më parë, mund të thoshim pa dyshim se udhëheqësja e kontinentit ishte Angela Merkel. Kancelari gjerman, Olaf Scholz, nuk e ka marrë përsipër rolin e saj. Shumë veta në kontinent ia kanë kaluar këtë status presidentit francez, Emmanuel Macron.

Por ai po përballet me një gjendje gjithnjë e më të ndërlikuar në vendin e vet. Më 8 janar, Macron shkarkoi kryeministren e vendit, në përpjekjen për një vrull të ri politik në vend.

Ai nuk mund të kandidojë për rizgjedhje në vitin 2027, dhe ka një besim tepër të madh te vetja duke krijuar përshtypjen se i lë në hije udhëheqësit e tjerë të BE-së. Gjermania dhe Franca së bashku, kanë një autoritet të pakrahasueshëm kur bien dakord për diçka. Por kjo gjë nuk ndodh shpesh.

Kush e ka drejtimin në Europë?

Tashmë që nuk është shumë e qartë se kush e ka drejtimin në Europë, rëndësia e aktorëve, varet nga çështja në fjalë. Marrim si shembull fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë, që është bërë përparësi për të gjithë, me fillimin e luftës në Ukrainë dhe së fundmi, në Lindjen e Mesme.

Pas pushtimit të Rusisë në shkurt 2022, asnjë shtet nuk kërkoi drejtim apo orientim nga Gjermania, sepse kjo e fundit kishte mbetur e varur nga gazi rus, dhe Forcat e Armatosura gjermane ishin aq të prapambetura, sa që kancelari Scholz shpalli se vendi duhej të bënte një kthesë të madhe në fushën ushtarake, për t’u përballur me sfidat e kohës.

Në të kundërt, vendet e Europës Qendrore, të udhëhequra nga Polonia dhe tre shtetet baltike, u ndien të shfajësuara, sepse kishin paralajmëruar prej vitesh se Rusia përbënte një rrezik të madh për kontinentin, duke pasur parasysh edhe përvojën e tyre si ish-anëtarë të Bashkimit Sovjetik.

Ndikimi i Europës Lindore

Ndikimi i ri i vendeve të Europës Qendrore është reflektuar edhe në ndryshimin e drejtimit politik të Europës. Një prej ndryshimeve është se BE-ja tashmë paguan për dërgimin e armëve në Ukrainë, një hap i parë në shpenzimet e mbrojtjes.

Ndryshimi i dytë është zgjerimi i BE-së, i cili më parë kishte qenë jashtë axhendës, pasi asnjë shtet nuk i është bashkuar bllokut, që kur hyri Kroacia në vitin 2013. Tani ka nëntë shtete kandidate që janë në faza të ndryshme bisedimesh (shih hartën).

Më e dukshmja është Ukraina, kërkesa e së cilës u mbështet dhe u çua përpara nga vendet e Europës Qendrore, pavarësisht ngurrimeve fillestare të Francës dhe Danimarkës. Më 14 dhjetor, krerët e BE-së ranë dakord që të nisin me Ukrainën bisedimet zyrtare të pranimit. Nëse apo kur, blloku do të zgjerohet në 36 shtete, gjë për të cilën do të duhen vite, apo edhe dekada, qendra e gravitetit do të zhvendoset drejt lindjes së kontinentit.

Në përgjithësi, shtetet e Europës Qendrore tani kanë mjaftueshëm peshë dhe ndikim për të luftuar kundër ideve që burojnë nga perëndimi më i largët i kontinentit. Një nga idetë më të rëndësishme është “autonomia strategjike” e presidentit Macron, që ka të bëjë me sovranitetin e Europës.

Sipas kësaj ideje, Europa duhet të jetë në gjendje që të veprojë në mënyrë të pavarur nga të tjerët, për shembull, duke qenë më tepër përgjegjëse për të mbrojtur veten ushtarakisht.

Për politikanët në Poloni ose Sllovaki, janë më bindëse garancitë e sigurisë të ofruara nga NATO, dhe si rrjedhim, nga Amerika. Prandaj, shpesh, nuk janë dëgjuar thirrjet franceze që Forcat e Armatosura të BE-së, të blejnë pajisje ushtarake europiane (domethënë franceze).

Megjithatë, edhe pse Europa Qendrore ka mjaft ndikim kur bëhet fjalë për Ukrainën, zëri i saj pothuajse nuk dëgjohet fare kur bëhet fjalë për fusha të tjera të politikëbërjes europiane. (Autoriteti moral në Varshavë dhe Bratislavë që u rrit nga ndihma për Ukrainën, u dëmtua disi pasi këto dy shtete mbyllën kufijtë ndaj eksporteve të fermave ukrainase, prillin e kaluar, duke mërzitur udhëheqësit në Kiev).

Në fakt, për sa i përket politikës ekonomike, Europa po merr gjithnjë e më shumë drejtimin që dëshiron Franca.

Kështu që thirrja e presidentit Macron për autonomi strategjike është bërë gjithnjë e më e fuqishme dhe e ndjekur nga kontinenti. E nxitur nga skepticizmi që ka pasur prej kohësh ndaj globalizimit, dhe frika e re se zinxhirët e furnizimit mund të ndërpriten nga pandemitë apo gjeopolitika e çrregullt,

Franca dëshiron që kontinenti europian të mbështetet më tepër në forcat e veta. Tensionet midis Amerikës dhe Kinës, si dhe mundësia e rikthimit të Trump në pushtet në vitin 2025, i kanë nxitur edhe europianët e tjerë që të dëgjojnë dhe të ndjekin Francën.

“Naiviteti” i Europës

Presidenti Macron ka deklaruar se Europa është treguar “naive” në marrëdhëniet e saj me pjesën tjetër të botës, duke i mbajtur tregjet e veta të hapura, ndërkohë që ortakët e saj tregtarë, nuk kanë bërë të njëjtën gjë. Këtë e dëshmon Amerika me planin e saj proteksionist për tranzicionin e gjelbër, ose Kina, me subvencionet e mëdha shtetërore.

Rregullat e BE-së që i ndalonin qeveritë kombëtare të përkrahnin industritë e favorizuara, u futën në sirtar gjatë Covid-19 dhe nuk u rikthyen më.

Tani, me parullën “Europa e para”, politikanët europianë kanë më shumë kontroll mbi formën e ekonomisë. Ideja franceze se Europa duhet të ketë një politikë industriale të pavarur, më parë shihej si tabu. Ndërsa tani, pranohet dhe ndiqet gjerësisht në kontinent.

Impulset dirigjiste të Francës kanë mbizotëruar në Europë sepse idetë e saj mbushën boshllëkun e lënë nga Britania, e cila votoi për t’u larguar nga BE-ja në vitin 2016 dhe doli përfundimisht, katër vite më vonë.

Nëse do të kishte mbetur një anëtare e klubit, Britania do t’i kishte prishur me kënaqësi planet franceze. Tani, kjo detyrë ka rënë mbi aleatët e saj të dikurshëm veriorë, si Danimarka, Irlanda apo Holanda, si dhe komisioni në Bruksel. Por kjo aleancë e vakët nuk ka fuqinë të parandalojë planet franceze, e shumta, vetëm sa mund t’i zbusë ato.

Britania nuk është e vetmja që mungon në tavolinën e udhëheqësve të BE-së. Një mungesë më e habitshme është Gjermania: zoti Scholz është një figurë që mungon në skenën europiane. Në vend, ai qeveris si pjesë e një koalicioni të ndërlikuar, me Partinë e Gjelbër të majtë dhe liberalët që duan tregun e lirë, duke e bërë shumë të vështirë që të lidhë marrëveshje në Bruksel. “Koalicioni gjerman ecën më ngadalë se debatet brenda BE-së”, thotë një zyrtar në Bruksel. Kjo ka ulur ndikimin e tyre.

Mungesa e Gjermanisë, shpesh ka qenë në fitim të Francës. Shumë vendime që merr BE-ja kanë një nuancë franceze, si për shembull, mungesa e një marrëveshjeje të re tregtare (që nuk dëshirohet nga fermerët francezë), apo lehtësimi i pjesshëm i rregullave europiane që kufizojnë deficitet buxhetore.

Por mungesa e zotimit të Gjermanisë pengon edhe ambiciet e Macron-it: skemat federaliste të hartuara në Paris marrin vrull kur ndiqen nga homologët në Berlin. Dhe marrëdhënia disi e ftohtë midis Scholz-it të ngurtë, verior, dhe eurofilit të zjarrtë, Macron, nuk duket se do të përmirësohet së shpejti.

Cilët janë të tjerët në skenë?

Franca ka kërkuar të lidhë aleanca të dobishme. Por nuk ka shumë vende për të zgjedhur. Italia udhëhiqet nga Giorgia Meloni, një populiste e djathtë që nuk ndjek rrymën kryesore.

Holanda do të zëvendësojë kryeministrin Mark Rutte që e ka udhëhequr prej kohësh, i cili ndoshta do të pasohet nga Geert Wilders, një populist i djathtë, me të njëjtën ideologji si zonja Meloni. Spanja është përfshirë nga një politikë e trazuar dhe si pasojë, duket se është mënjanuar fare nga debati politik europian. Donald Tusk që sapo u zgjodh në Poloni, është liberal dhe pro BE-së, por nuk pëlqehet fare në atdhe.

Ndoshta përfituesi më i madh i këtij boshllëku në udhëheqje kanë qenë institucionet e qendërzuara të BE-së në Bruksel. Nën drejtimin e Ursula von der Leyen, që prej vitit 2019, Komisioni Europian, krahu ekzekutiv i BE-së, ka grumbulluar më shumë pushtet se kurrë më parë.

Makina e Brukselit, e përbërë nga 32,000 zyrtarë, ka qenë prej kohësh një forcë e frikshme rregullatore, siç mund të dëshmojnë edhe “baronët” në Silicon Valley. Por me kalimin e kohës, ajo ka peshuar gjithnjë e më shumë edhe në çështjet e politikës dhe gjeopolitikës.

Kjo filloi me Covid-19, kur qeveritë i kërkuan komisionit të mbikëqyrte shpërndarjen e vaksinave për të gjithë bllokun. Një nga nismat e mëdha të nxitura nga pandemia, ishte Next Generation EU, një fond rimëkëmbjeje prej 807 miliardë eurosh (890 miliardë dollarë), në formë kredish dhe grantesh.

Komisioni Europian, që është përgjegjës për fondin, ka mundur t’i drejtojë paratë në mënyra që përputhen me përparësitë e veta. Një shembull i mirë është plani për të ulur emetimet e karbonit në zero, deri në vitin 2050, një ambicie për të cilën zyrtarët në Bruksel janë shumë më entuziastë se shumë udhëheqës kombëtarë, të cilët duhet ta mbrojnë këtë politikë edhe përpara votuesve.

Duke pasur më tepër kontroll mbi paratë e BE-së, komisioni ka fituar një autoritet më të madh, duke i treguar vendeve anëtare se si duhet të shpenzohen paratë. Aftësi të tilla mund të përdoren edhe si ndëshkim: për shembull, Hungarisë dhe Polonisë u janë mohuar paratë, për shkak të problemeve me sundimin e ligjit, për shembull në mënyrën se si funksionojnë gjykatat e vendit.

Udhëheqësi autoritar hungarez, Viktor Orban, ka kërkuar rreth 30 miliardë euro që janë pezulluar nga BE-ja. Në Poloni, presidenti Tusk bëri fushatë në vjeshtë, duke thënë se ishte më i aftë se opozita për të zhbllokuar fondet e BE-së që ishin bllokuar për shkak të politikave të paraardhësit.

A është kjo një shenjë se Europa po bëhet më federaliste, si një lloj supershteti në krijim e sipër? Vende si Hungaria dhe Polonia mund ta kenë këtë ndjesi.

Por aftësitë e komisionit kanë kufizimet e veta. Ndikimi i zonjës Von der Leyen, rrjedh nga fakti se ajo bashkëpunon ngushtë me kryeqytetet kombëtare, për shembull në sanksionet kundër Rusisë. Ajo mund të ndikojë në debat, për shembull në qëndrimin e Europës ndaj Kinës, ku mbështeti një qasje “pa rrezik” ndaj tregtisë, më pak sfiduese sesa “shkëputja” që këshilloi Amerika.

Ndoshta ajo i afrohet më tepër idesë së një “udhëheqësi europian”, në këto kohë. Por fuqia e saj varet nga të tjerët që e ndjekin, edhe nëse i jepet një mandat i dytë këtë vit. Dhe Brukseli ende shpenzon vetëm paksa më shumë se 1% të PBB-së së përgjithshme të bllokut.

Zgjedhjet gjithashtu mund të ndikojnë në riorganizimin e rendit europian. Populistët kanë pasur ecuri të mirë në Holandë dhe Sllovaki, por jo në Poloni dhe Spanjë. Ata pritet të fitojnë terren në zgjedhjet e Parlamentit Europian. Kështu, mund të kërcënohet forca më e madhe në Europën e pasluftës: mbështetja e fortë për vlerat liberale dhe shtetin e së drejtës.

Pasi të kenë përfunduar zgjedhjet europiane, vëmendja do të kthehet te zgjedhjet në Amerikë, një shtet që është ende garantuesi kryesor i sigurisë europiane dhe kontribuuesi më i madh në përpjekjet luftarake të Ukrainës. Një fitore e Trump-it do të pritej me tmerr.

Prandaj, fakti që votat e hedhura një oqean larg Parisit, Berlinit apo Varshavës, kanë aq shumë rëndësi për të ardhmen e Europës, me siguri do të nxisë argumente se arkitektura e pushtetit në kontinent, duhet të ndryshojë. /Përktheu: MONITOR

TË FUNDIT

ME TE LEXUARA

LEXO MË SHUMË

bolton

John Bolton: Nëse Donald Trump fiton, do të dalë nga NATO

Spitali-i-Strugs-600x360-1

Sulmohet motra medicinale në Spitalin e Strugës

aksident kollar

Makina bie në lum në rrugën Kërçovë – Strazhë në afërsi të fshatit Kollare (VIDEO)

arben taravari kumanove

Sot në Gostivar konventa e promovimit të kandidatit presidencial, Arben Taravari

gjermani jeta

Janë dyfishuar çmimet e naftës dhe gazit në Gjermani, gjermanët mezi i’a dalin

putin-balkan

Sulme kimike në qytetet gjermane!? Raporti: Pushtimi tokësor i Putinit, skenar i mundshëm

aksident-kercove-780x439

Aksident i rëndë në Kollar të Kërçovës, raportohet për viktima

IMG_9408

Marrëveshja BDI & ASH-Sela për listat e përbashkëta drejt finalizimit?

arm

A do të kthehet shërbimi ushtarak? Dikur pa ushtri të kryer nuk të jepnin as nuse!

INFO

NA NDIQ