Tensionet e vazhdueshme në Ballkanin Perëndimor kanë sjellë sërish në qendër të vëmendjes ndërkombëtare marrëdhëniet e brishta mes Serbisë dhe Kosovës.
E të gjendur në këtë situate, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka bërë një apel të qartë për ndaljen e retorikës nxitëse nga zyrtarët serbë ndaj institucioneve të Kosovës.
Ai ka theksuar se Serbia duhet të tregojë lidership dhe të angazhohet në mënyrë konstruktive për uljen e tensioneve dhe për avancimin e dialogut me Kosovën.
Rutte ka nënvizuar se stabiliteti i rajonit është i lidhur ngushtë me normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve dhe se çdo veprim që rrit tensionet mund të dëmtojë përpjekjet për paqe dhe integrim evropian.
Vlen të theksohet që retorika e zyrtarëve serbë është kritikuar gjerësisht nga faktori ndërkombëtar, pasi ajo jo vetëm që minon përpjekjet për dialog dhe paqe, por gjithashtu rrezikon të destabilizojë gjithë rajonin.
Kujtojmë që NATO, si një nga garantuesit kryesor të sigurisë në Kosovë përmes misionit KFOR, mbetet e përkushtuar për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, por kërkon bashkëpunim dhe vullnet politik nga të gjitha palët e përfshira.
A mund të ndikojë kjo deklaratë e Mark Rutte në qëndrimin e Serbisë ndaj dialogut me Kosovën dhe a pritet ndonjë veprim konkret nga NATO nëse Serbia vazhdon me retorikën nxitëse?
Shabani: Përkujtimi i Rutte ndaj përfaqësuesit serb se retorikat e tilla nuk funksionojnë, është një vëmendje ndaj sigurisë së Kosovës
Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur njohësi për çështje ndërkombëtare, Amir Shabani.
Ai thotë se kjo deklaratë e Rutte është sinjal që Serbia ka kaluar çdo kufi të mundshëm.
Gjithashtu, Shabani përmend lidhjet e Serbisë me Rusinë dhe Kinën.
“Parimisht, deklarata e tillë e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mar Rutte kundrejt Serbisë është një sinjal se Beogradi zyrtar ka tejkaluar shumë herë kufijtë e sigurimit të paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.
Edhe përkundër faktit se Serbia është shteti më i madh në rajon, kjo nuk e bën atë të jetë në cilësinë e lidershipit dhe angazhimit drejt rrugër euro-atlantike, kur njëkohësisht Vuçiqi ka takime publike me Rusinë dhe Kinën”, u shpreh ai.
Më tej, njohësi theksoi që kjo deklaratë e Rutte vjen si përkujtesë që KFOR është mbrojtës i Kosovës dhe se Serbia duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet e saj terroriste.
“Përkujtimi i Rutte ndaj përfaqësuesit serb se retorikat e tilla nuk funksionojnë, është një vëmendje ndaj sigurisë së Kosovës, andaj edhe theksoi rëndësinë e KFOR-it në Kosovë, duke e përshkruar atë si një ndër faktorët kyç për stabilitetin rajonal, madje duke garantuar se do ta pajisë me të gjitha kapacitetet e nevojshme.
Nga ana tjetër, gjatë takimit të tij me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se ia ka theksuar rëndësinë e mbajtjes së përgjegjësisë ndaj autorëve të sulmit terrorist në Banjskë dhe jo vetëm”, u shpreh Shabani për “Bota sot”.
Dashevci: Është thirrje serioze nga Rutte ndaj Serbisë
Ndërsa, eksperti i sigurisë, Arben Dashevci në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që deklarata e Rutte është një thirrje serioze ndaj Serbisë, sepse i njëjti është në dijeni që Beogradi po mban lidhjet me Rusinë e njëkohësisht me BE-në.
“Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka bërë thirrje para dy ditësh për ndaljen e retorikës nxitëse nga zyrtarët serbë ndaj institucioneve të Kosovës, dhe sipas mendimit tim është thirrja më serioze deri më sot, sepse do të thotë që ai është në dijeni për retorikën e vazhdueshme të zyrtarëve serbë.
Ai ka kërkuar me vendosmëri të madhe sepse po flasim për Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s. Ai kërkoi që Serbia të tregojë lidership për uljen e tensioneve në Ballkanin Perëndimor, duke ditur, mendoj unë, lojën e Serbisë me dy karrige: aleancë e ngushtë me Rusinë, kurse në anën tjetër thith fonde nga BE.
Pra, po flasim për një deklaratë shumë serioze dhe domethënëse për paqen në Ballkan, mendoj unë”, shpjegoi eksperti i sigurisë.
Në fund, Dashevci shprehet optimist për veprime konkrete ndaj Serbisë pas kësaj deklarate.
Po ashtu, potencoi që aleanca me SHBA-në po forcohet si kurrë më parë deri më sot.
“Kjo deklaratë e Mark Rutte do të ndikojë pa dyshim në qëndrimin e Serbisë ndaj dialogut me Kosovën dhe, normalisht, që pritet veprim konkret dhe i shpejtë nga NATO, sepse Serbia vazhdon konstant me retorikën nxitëse dhe vetëm presioni serioz e ndal këtë retorikë të egër.
Kosova është shtet serioz. Defender 2025 është duke u mbajtur në Kosovë, kjo tregon përkushtim dhe aleancë me NATO-n. Kosova vazhdon dhe nuk i ndal proceset pa marrë parasysh retorikën serbe. Kurse presioni për Serbinë po vjen në kohë të duhur, sepse krizat botërore po i shohim, gjeopolitika po ndryshon shpejt.
Aleanca me SHBA-në po forcohet si kurrë më parë deri më sot. Kjo na ndihmon në këto kohëra të turbullta në aspektin e sigurisë, sepse jemi të vendosur si shtet ta ndjekim rrugën e aleatit të përjetshëm SHBA-së dhe partnerëve strategjikë nga BE”, përfundoi eksperti i sigurisë, Arben Dashevci për “Bota sot”.