TikTok Music mund të sfidojë Spotify dhe Apple Music

Duke konsideruar se sa i ndërthurur është zbulimi i muzikës me TikTok, nuk do të ishte aspak befasi nëse kompania në fjalë e lanson një aplikacion të vet të muzikës.

Dhe dosjet e patentave të zbuluara sugjerojnë se TikTok në fakt veçse janë duke punuar në këtë drejtim, raporton The Verge.

Kompania mëmë e TikTok, ByteDance, ka paraqitur një aplikim për “TikTok Music” në Zyrën e Patentave dhe Markave në SHBA gjatë muajit maj.

Sipas aplikimit, shërbimi do t’u mundësonte përdoruesve që të blejnë, lëshojnë, shpërndajnë dhe shkarkojnë muzikë.

Gjithashtu do t’i lejojë përdoruesit që të krijojnë, shpërndajnë dhe rekomandojnë lista të muzikës, të komentojnë mbi muzikën, dhe gjithashtu të bëjnë transmetim të drejtpërdrejtë të audiove dhe videove.

ByteDance veçse kishte aplikuar për patentën e markës “TikTok Music” në Australi nëntorin e vitit të kaluar.

ByteDance në fakt ka përvojë me transmetim të muzikës. Në vitin 2020, kjo kompani kishte lansuar një aplikacion të transmetimit të muzikës me emrin “Resso”, në Indi, Brazil dhe Indonezi.

Resso ka disa nga veçoritë që janë përshkruar në aplikimin e “TikTok Music”, si ajo e krijimit të listave të muzikës, shpërndarja e këngëve në rrjetet sociale, dhe ndërveprimi me komunitetin brenda aplikacionit.

Në fakt, ByteDance e përdor TikTok-un që t’i sjellë përdoruesit e aplikacionit tek Resso.

Sipas një raporti, aplikacioni TikTok në Brazil ka një buton i cili i dërgon përdoruesit tek Resso në mënyrë që ata të dëgjojnë versionin e plotë të këngës që atyre u pëlqen, një lëvizje kjo e cila u ndihmon atyre që të mbajnë përdoruesit e tyre brenda ekosistemit ByteDance.