Tirana përkrah politikën regresive të drejtuesve politikë shqiptarë në Serbi

0

Nga Muharrem Salihu/

Sot në mediat e Tiranës dhe më tej, u publikua lajmi se drejtuesit e partive politike shqiptare në Serbi kanë rënë dakord për të dalë me një listë unike në zgjedhjet parlamentare. Marrëveshja është nënshkruar në Tiranë dhe ka përkrahjen e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme në Detyrë z. Gent Cakaj.

Në pamje të parë të krijohet përshtypja e një lajmi të mirë. Pasi bashkimi i drejtuesve politikë shqiptarë është një mundësi pozitive për unifikim të çështjes shqiptare në Serbi. Por cila është ana e errët e kësaj marrëveshje? Cilat ishin motivet që asnjë drejtues politik shqiptar nga Medvegja nuk u ftua të marri pjesë në këtë takim? Pse po braktisen medvegjasit në kohën më të keqe të tyre?

Në Serbi jetojnë afro 50 mijë shqiptarë me të drejtë vote dhe shqiptarët nëse unifikojnë qëndrimin e tyre kanë probabilitet që të fitojnë më shumë se 3 deputetë në parlamentin e Serbisë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Që të realizohet bashkimi i qëndrimit të shqiptarëve, është domosdoshmëri përfshirja në listë e kandidatëve nga të tre komunat shqiptare në Serbi. Medvegjasit janë popullata më e diskriminuar në Serbi, më e braktisura, më e rrezikuara dhe me nevojën më të madhe për ndihmë e mbështetje që të mbijetojnë. Ndaj, Lista e kandidatëve për deputet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare ne Serbi, do të duhet të kryesohet me një kandidat nga Medvegja, që ka një territor sa gjysmën e Luginës, i dyti nga Bujanoci, që ka territor sa gjysma e gjysmës së Luginës dhe i treti nga Presheva. Kjo që t’i jepet mundësi përfaqësimi shqiptarëve në Medvegjë, që të mbështeten për të ndalur boshatisjen e Medvegjës nga shqiptarët.

Mungesa e përfaqësuesve politikë nga Medvegja dhe braktisja e tyre është baraz me dorëzimin të Medvegjës , të gjysmës së territorit të Luginës, duke lënë hapësirë të lirë dhe duke krijuar precedencën që të “lëshohet” edhe Bujanoci e më tej Preshava, e cila si qytezë është një barrë sociale dhe jo aset. Luftërat bëhen për territore, por ne si “paqësorë” po i dorëzojmë territoret shqiptare në Serbi me vetëdije, bile edhe solemnisht nën moton e unitetit!

Autori është këshilltar komunal në Medvegjë