Tiranë: Protesta për mbylljen e kolegjit turk nga qeveria

Me vendim të qeverisë shqiptare u mbyll kolegji turk, “Turgut Ozal”, i financuar nga lëvizja gyleniste. Ministria e Arsimit në Tiranë e ka përligjur mbylljen e kolegjit me mos plotësimin e kritereve ligjore.

Pas më shumë se 25 vitesh funksionimi në Shqipëri, kolegji privat turk “Mehmet Akif Ersoy” është mbyllur në Tiranë me një vendim të qeverisë Rama. Ky kolegj, pjesë e rrjetit „Turgut Ozal” të financuar nga lëvizja gyleniste e klerikut turk, Fethullah Gűlen, është një nga shkollat e para të mesme private të hapura në Shqipëri pas përmbysjes së regjimit komunist dhe ndryshimeve demokratike.

Ministria e Arsimit e ka përligjur mbylljen e kolegjit me “nisjen e vitit të ri shkollor në një vendndodhje dhe mjedise të reja, të pamiratuara paraprakisht nga ministria, gjë që ka sjellë mos plotësimin e kritereve ligjore”. Nxënëset e këtij kolegji protestuan të hënën (26.09) para Ministrisë së Arsimit dhe Kryeministrisë dhe kërkuan rishikimin e vendimit për të bërë të mundur vijimin e vitit shkollor në kolegjin e tyre.

Kryeministri Edi Rama në një postim në twitter theksoi që protesta duhet të adresohet „kundër pronarëve që shitën godinën e shkollës dhe e zhvendosën aktivitetin e saj në një vend tjetër, pa marrë leje sipas ligjit dhe pa respektuar rregullat e parashikuara nga ligji”. Protesta e nxënëseve të kolegjit privat turk” Mehmet Akif Ersoy” u zhvillua pasi hedhjes poshtë nga Gjykata Administrative e Tiranës të kërkesës për pezullimin e vendimit të mbylljes që drejtuesit e kolegjit e quajnë „të padrejtë dhe motivuar politikisht”.