Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP) shënoi jubileun e 15-të të ngjarjes më të rëndësishme ekonomike në vend dhe më gjerë TOP 100™, që tashmë është shndërruar në simbol për arritjet dhe standardet e larta me të cilat bizneset tona identifikohen.
Kjo ngjarje tradicionale e OEMVP, mirëpriti disa nga emrat më të shquar të biznesit, Kryeministrin dhe Zëvendëskryeministrin e parë të Maqedonisë së Veriut, ministra e deputetë, kryetarë komunash, përfaqësues të ambasadave, përfaqësues të organizatave dhe institucione rajonale dhe ndërkombëtare.
Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore potencoi rëndësinë e manifestimit të TOP 100™, dhe theksoi që ky 15 vjetor jubilar, është dëshmia më e madhe e rritjes dhe zhvillimit të bizneseve tona, ndërsa vazhdimësia e realizimit të këtij projekti, flet për seriozitetin institucional të OEMVP-së. Ndër tjerash ai potencoi se OEMVP është e vetmja që shpërblen kompanitë duke aplikuar metodologji parimore. Qyra tha se rritja enorme e TOP 100 kompanive për këto 15 vite, vjen si rezultat i përkushtimi të kompanive, bashkëpunimit të ndërsjellë dhe ideve kreative që ndikojnë në qëndrueshmërinë e bizneseve.
Në fjalimin e tij, Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut z. Mickoski theksoi që sektori publik dhe privat duhet të bashkëpunojnë ngushtë, sepse vetëm përmes bashkëpunimit mund të realizojmë objektivat tona të përbashkëta. Ai gjithashtu potencoi që ambiciet e Qeverisë janë të qarta – të ndërtohet një ekonomi konkurruese, e qëndrueshme dhe e gatshme për të ardhmen, duke siguruar stabilitet dhe partneritet me sektorin privat.
Gjatë ngjarjes, OEMVP ndau çmime për kompanitë që kanë dhënë kontribut dukshëm për ekonominë e vendit, duke vlerësuar suksesin dhe ndikimin e tyre pozitiv. Top 5 kompanitë fituese të këtij edicioni të TOP 100™ u shpallën: Kompania Dauti – Komerc në vendin e parë, pasuar nga Pofix, Bas Tuti Fruti, Vardar Dolomit, dhe Mega Auto Parts.
Përveç çmimeve për TOP 5 kompanitë më të suksesshme, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore ndau edhe disa çmime meritore. Çmimi për Partneritet të suksesshëm iu nda kompanisë ETMT Energy, Çmimi për Filantropi Korporative iu nda kompanisë Пивара Скопје / Pivara Skopje, ndërsa Çmimi për Investitorin e Vitit me mbi 8 milionë euro investime shkoi për kompaninë EURO AKTIVA. Ndërkaq si odë e cila vlerëson dhe përkrah gratë në biznes, Çmimi për Biznesin më të suksesshëm të udhëhequr nga Grua Afariste iu nda kompanisë Çerdhe Yjet. Gjithashtu, OEMVP nderoi edhe anëtarin e saj Ambrella Swiss Bau, me Çmimin për modelin më të suksesshëm të kthimit nga diaspora në vend, Çmimi për Top Eksportuesin me mbi 7 milionë produkte të eksportuara iu dha kompanisë Multipark Izairi, dhe për fund Çmimi për kompaninë me rritje më të shpejtë në tre vitet e fundit shkoi për kompaninë Eurovia Group.
Në këtë vit jubilar, OEMVP gjithashtu shprehu mirënjohje për mbështetësit e saj afatgjatë, ku mirënjohjen për mbështetje të vazhdueshme ndër vite iu nda kompanisë Uniqa Macedonia Maqedoni si një prej bashkëpunëtoreve dhe përkrahësve më besnike të Odës, ndërsa kompania Insider ID u nderua me mirënjohje për kontributin e dhënë përgjatë 8 viteve të fundit në përpilimin e katalogut TOP 100™.
Të dhënat afariste të këtij viti, tregojnë rritje të theksuar, ku qarkullimi i TOP 100™ kompanive të OEMVP-së ka arritur në 1.4 miliardë euro, duke reflektuar një rritje të madhe prej 1.1 miliardë euro krahasuar me edicionin e parë të vitit 2010. Neto Fitimi i cili ishte 22 milionë euro në katalogun TOP 100™ të vitit 2010, gjatë vitit 2023 kjo shifër arriti në 100 milionë euro, që përfaqëson një rritje prej 334%. Ndërsa TOP 100™ kompanitë e vitit 2010 të cilat pasqyronin 2,899 të punësuar, gjatë vitit 2023 kanë shënuar 9,735 punonjës apo rritje prej 235%. Investimet po ashtu kanë shënuar vlerë të konsiderueshme prej 95.6 milionë euro, ndërsa eksporti ka arritur në 171.3 milionë euro.
Në këtë përvjetor të 15-të të TOP 100™, festojmë jo vetëm sukseset e kaluara, por vizionin e një ekonomie që synon standarde të reja dhe të qëndrueshme për të ardhmen. Duke vlerësuar kompanitë që kanë udhëhequr me përkushtim dhe inovacion, OEMVP riafirmon angazhimin e saj për të mbështetur dhe fuqizuar bizneset që janë shtylla e rritjes ekonomike të vendit. TOP 100™ mbetet një simbol i përkushtimit tonë të përbashkët dhe një platformë për të projektuar potencialin ekonomik të Maqedonisë së Veriut në një nivel të ri, më konkurrues dhe më të qëndrueshëm.