Prindërit e viktimave që humbën jetën në zjarrin tragjik në diskotekën “Pulse” në Koçan kanë dorëzuar sot një kërkesë me shkrim në Prokurorinë Themelore Publike të Koçanit, duke kërkuar sqarime të detajuara mbi aktakuzën që u bë publike javën e kaluar nga Prokurori Publik i Shtetit, Lupço Kocevski, përcjell INA.
“Ne nuk jemi juristë dhe nuk e kuptuam aktakuzën e shpallur, ndaj kërkojmë që Prokuroria të na sqarojë rezultatet e hetimeve dhe të na tregojë saktë se kush është vënë përballë drejtësisë”, thanë prindërit gjatë “Marshit të Engjëjve” që u mbajt së fundmi në qytetin e Koçanit.
Ata theksuan se është jetike për familjet që Prokuroria t’i informojë në mënyrë të qartë dhe të plotë mbi përfundimet e hetimeve, përfshirë:
-cilët persona fizikë dhe juridikë janë të përfshirë në proces,
-kush po ndiqet penalisht,
– kush është përjashtuar nga përgjegjësia,
– në mënyrë që të qartësojnë të gjitha dilemat rreth zhvillimit të procedurës penale.
Nga Prokuroria njoftuan se janë të gatshëm të organizojnë një takim të posaçëm me familjarët në ditët në vijim, ku do të ofrojnë informacione më të detajuara pa cenuar ecurinë e mëtejme të procesit gjyqësor. Për më tepër, familjarët që morën pjesë në takimin e mëparshëm në Prokurori janë pajisur me kontakte të drejtpërdrejta dhe u është bërë e ditur se mund të informohen në çdo kohë për zhvillimet e çështjes.
Më 13 të këtij muaji, në Gjykatën Themelore të Koçanit u dorëzua aktakuza kundër 34 persona fizikë dhe 3 persona juridikë, të cilët akuzohen për vepra të rënda penale kundër sigurisë publike, lidhur me zjarrin shkatërrues të ndodhur më 16 mars 2025 në diskotekën “Pulse”, ku humbën jetën 62 persona, përfshirë 6 fëmijë.
Në mesin e të akuzuarve ndodhen pronarë lokalesh, menaxherë, inspektorë, kryetarë komunash, punonjës sigurie dhe zyrtarë shtetërorë. Ndërkohë, për 11 persona, përfshirë dy ish-ministra, procedura është ndërprerë për shkak të mungesës së provave të mjaftueshme.(INA)