Trajneri i boksit i Gruevskit jep dorëheqje nga Klinika e Toksikologjisë

Mile Smilevski, i njohur për opinionin si trajner i boksit për ish-kryeministrin Nikolla Gruevski, dha dorëheqje nga Klinika për Toksikologji pas ardhjes së udhëheqësisë së re, konfirmoi drejtori Niko Beqarovski.

“Që kur u bëra drejtor, Smilevski prej 7 korrikut deri më 10 gusht ishte me pushime, pastaj menjëherë mori pushim mjekësor, i cili zgjati deri në momentin e dorëheqjes. Si shpjegim për largimin e tij ishte se ka gjetur një punë tjetër” u shpreh Beqarovski.

Ai fillimisht ka punuar në klinikë si infermier, ndërsa një vit pas ardhjes së VMRO-DPMNE-së në pushtet, karriera e tij u avancua shpejt. Përveç që ishte në krye të infermiereve dhe teknikëve ai ka qenë edhe anëtar i Bordit të Drejtorëve të klinikës ku tre anëtarë të jashtëm zgjidhen dhe emërohen me propozim të Qeverisë, ndërsa dy anëtarët e tjerë të brendshëm i zgjedh klinika.