Sylvinho është prezantuar sot si trajneri i ri i kombëtares shqiptare. 48-vjeçari brazilian, i cili luajti me skuadra si Barcelona, Arsenali dhe Manchester City, ka firmosur një kontratë 18-mujore me FSHF-në.
Ish-mbrojtësi i majtë, i cili ka punuar si ndihmës i Tites te Brazili dhe Roberto Mancinit tek Interi, preku shumë tema në konferencën për shtypin, zbuloi pse zgjodhi Shqipërinë dhe tregoi objektivat e tij në krye të kuqezinjve.
“Doja t’u falënderoja që jeni këtu. Jam i kënaqur. Puna e një trajneri është e vështirë, kurrë e thjeshtë. Duhet të bëjmë zgjedhje, herë fiton e herë jo. Falënderoj Rejën për punën e bërë, për këta futbollistë, zemrën dhe pasionin.
Kemi dëshirë të sjellim rezultate pozitive për të dërguar Kombëtaren në pozicionin e duhur. Këtë pashë kur takova presidentin për herë të parë. Edhe ai pa te ne urinë dhe dëshirën për të bërë mirë, për t’i dhënë vazhdimësi projektit.
Të gjithë flasin për zgjedhjet e trajnerit apo pozicionin e tij. FSHF më bindi të merrja përsipër këtë punë. Jemi të kënaqur, besoj do bëjmë një punë të mirë.
Taktika? Flitet shumë për skemën, për ‘3-5-2’ e Rejës, i cili ka përdorur edhe ‘3-4-1-2’. Në futboll duhet të përfshihen të gjithë. Futbolli duhet të qëndrojë në zemrat dhe shpirtin e njerëzve, prandaj jemi këtu. Do të shohim më pas për skemat dhe modulet.
Futbolli ndryshon, gjithçka ndryshon në nivele të larta. Jemi këtu për të dhënë maksimumin, do të zgjedhim lojtarët që do japin maksimumin për këtë fanellë. Botërori la mesazhe të shumta: është taktikë, skema dhe module, por edhe sakrificë, djersë dhe mund.
Grupi i eliminatoreve të Euro 2024 është shumë i ekuilibruar, nuk do të jetë e thjeshtë për asnjë, por ne duam të kualifikohemi. Do punojmë fort dhe do luftojmë për të realizuar kualifikimin në Europian.
Kam parë 2-3 ndeshje të Shqipërisë. Kam punuar me Rey Manajn kur ishte pjesë e Interit. Po, e njihja kombëtaren, ka futbollistë të rëndësishëm dhe teknikisht të fortë.
Pas kësaj kontrate dhe këtij momenti, ne do të fillojmë punën e ndarë në dy pjesë: e para ka të bëjë me monitorimin e futbollistëve me stafin tim, më pas do ikim t’i shohim live në fushë.