Tre anëtarët e familjes nga Gjilani u helmuan me kërpudha në Gjirin e Lalëzit

Tre anëtarë të një familjeje nga Gjilani i Kosovës humbën jetën tragjikisht në Gjirin e Lalëzit në Shqipëri pasi dyshohet se kanë konsumuar kërpudha helmuese.

Elfete, Afrim e Ferdinaze Haliti prej ditësh ndodheshin në banesën e tyre në Gjirin e Lalëzit. Mendohet se ngjarja është shënuar më 6 maj të 2021. Sipas hetimeve paraprake dyshohet se ata kanë mbledhur kërpurdha dhe pasi i kanë konsumuar në banesën e tyre në Gjirin e Lalëzit janë helmuar.

Dy mjekë procedohen penalisht për vdekjen tragjike të tre pjesëtarëve të familjes nga Gjilani

Çfarë ka ndodhur?

Ngjarja është ende në hetim e sipër dhe pritet të sqarohet më tej por nga të dhënat që kanë mbërritur në redaksi mendohet se fillimisht tre pjesëtarët e familjes Haliti kanë shkuar në qendrën mjekësore Manëz.

Më pas ata duhet të jenë kthyer në shtëpi ku dhe gjëndja e tyre shëndetësore është përkeqësuar. Më pas është thirrur urgjenca e spitalit të Durrësit. Burimet nga spitali bëjnë me dije se në momentin kur kanë mbërritur në këtë spital kanë qenë pa puls dhe pa tension dhe me shok hypovolemik.

Janë dërguar me urgjencë drejt Tiranës. Mësohet se fillimisht ka humbur jetën gjyshja, Elefete Haliti, 78 vjeçe, një ditë më pas më 7 maj ka humbur jetën Afrimi, 56 vjeç ndërsa dje më 8 maj është ndarë nga jeta dhe bashkëshortja e Afrimit, Ferdinaze Halili.

Policia ka nisur procedim penal për dy mjekë të kësaj qëndre duke i akuzuar për “Mjekim të pakujdesshëm”. “Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Manëz, kanë proceduar penalisht për veprën penale “Mjekim i pakujdesshëm”, shtetasit Sh. B., 54 vjeç dhe J. K., 60 vjeç, banues në Durrës, me detyrë mjek në qëndrën shëndetësore Manëz, pasi si pasojë e përkeqësimit të shëndetit kanë ndërruar jetë shtetasit kosovarë E. H., 78 vjeçe, A. H., 56 vjeç dhe F. H., 57 vjeçe ( famijarë), të cilët nga hetimet paraprake dyshohet se këta shtetas kanë mbledhur kërpurdha dhe pasi i kanë konsumuar në banesën e tyre në Gjirin e Lalëzit janë helmuar,” informoi mbrëmjen e sotme policia e Durrësit.

Policia informon se në banesë janë gjendur kërpudhat që mendohet se kanë konsumuar pjesëtarët e familjes si dhe qenin e shtëpisë të ngordhur. Mendohet se dhe kafsha ka konsumuar nga këto kërpudha./Oranews