Tre breza tek Vatra ! Emocion dhe krenari…, “50-vjet nga Revolta e Spaçit”

INA
INA

29/05/2023

Jeta e pazakont e Abdulla Ramit – Nga Franca në Burrel dhe në Internim

Nga Beqir SINA

Këtë vit Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “VATRA”, me rastin e 50 vjetorit të Revoltës së Spaçit, ditën e Shtunë ( datë 27 Maj 2023) në Selinë Qëndrore të saj organizojë promovimin e librit: “Përtej Harrimit, Abdulla Rami” – nga auditoret franceze në terrin e diktaturës dhe të përkthimit të veprës “William Shakespeare” nga Victor Hugo.

Në këtë aktivitet, në Vatër, morën pjesë dhjetra vetë, vatran, aktivist, studentë e studente shqiptare nga shkollat amerikane.

“Në vatër, u mblodhën tre breza, në një takim miqësor e intelektual, ku përtej shkrimit e përkthimit, përtej fjalës dhe emocionit, përtej brengës dhe kujtimit, përtej përvojave gjuhësore e njerëzore, përtej ekzilit, internimit e jetëve paralele, Shqipja e bukur dhe Përkthimi si Akt Lirie e Qëndrese – Lidhin Epoka, Ngjarje, Breza e Histori,” shkruan autorja dhe përkthyesja Ermira Xhomaqi Godo

Ndërkohë, që për Federatën Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA, një aktivitet i tillë shkruan editori i Diellit, Sokol Paja, u mbajt me rastin e 50 vjetorit të Revoltës së Spaçit, në Selinë Qëndrore si një homazh, përkujtimi dhe nderimi në vlerësimin e një prej ngjarjeve më të rëndësishme në historinë e qëndresës antikomuniste shqiptare si “Revolta e Spaçit” dhe një figure të shquar të nacionalizmit e patriotizmit shqiptar si Abdulla Rami.

Në emër të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA në këtë aktivitet foli Presidenti i Nderit z.Agim Rexhaj i cili simbas reportazhit të gazetës “Dielli, në Facebook, u ndal te rëndësia e promovimeve të librave historik në Vatër, duke u fokusuar te një analizë letrare rreth veprës së Hygoit dhe Shekspirit, vëndi i tyre në letërsinë dhe historinë e qytetërimit europian. Gjithashtu z.Rexhaj paraqiti detaje dhe kontribute të shquara të Abdulla Ramit në Shqipëri.

Po simbas gazetës Dielli, Ph.D. Ines Angeli Murzaku – Profesore e fesë në Universitetin Seton Hall në New Jersey, Drejtore e Programit të Studimeve Katolike dhe Kryetare e Themelues e Departamentit të Studimeve Katolike në Universitetin Seton Hallnë, në kumtesën e saj lexuar nga Editori i Diellit Sokol Paja, për librin “Përtej Harrimit”, thotë se “Ky është një dedikim i një mbese të devotshme për gjyshin, që jeton për të treguar diçka që gjyshi nuk mundi ose nuk arriti ta tregonte – një jetë të rëndë në kalvarin e tre burgjeve – Burgun e Tiranës, Burgun e Shtatë Penxhereve dhe Burgun e Burrelit, dhe internimi që ishte një zgjatim i burgosjes. Por, Abdullah Rami, diti të vazhdojë jetën intelektuale – mbase e vetmja rrugë për të mbijetuar dhe jetuar nëpërmjet njerëzve dhe historive të tyre që ai me mjeshtëri i përktheu.”

Në mesin e folësve në këtë aktivitet i ftuar ka qenë edhe studiuesi Jozef Radi, i cili simbas gazetës Dielli ishte ardhur ekskluzivisht nga Italia për këtë promovim duke e cilësuar në fjalën e tij librin “Monumenti i njeriut të lartë që bota deshi ta harronte”. Ai është shprehur se figura e Abdulla Ramit është figura e një njeriu që e do fort vendin e vet. “Njeriu që luftoi për më të mirën për kombin e tij. Jeta e Ramit është jetë tragjike dhe përpjekje intelektuale për të mos u dorëzuar përballë së keqes.” Më pas Radi, është ndalur dhe te vlerat e përkthimit ekselent të kryeveprës Shekspiri të Viktor Hygo, përkthyer në persekutim nga Abdulla Rami.

Në kumtesën e saj studiuesja Valdete Cenalia Dida, është shprehur se gjyqtari i ri Abdulla Rami kërkonte të zëvendësonte legjislacionin e trashëguar nga e kaluara me legjislacion të standarteve Perëndimore, por hasi në sharrën e kohës së komunizmit:” Rami po mundohej t’i kushtonte vëmendje ndërtimit të një Shqipërie të lirë demokratike, etnike dhe bashkim kombëtar” ka thënë ajo.

Duke e vlerësuar Ramin si vazhdues i traditës së shkëlqyer të përkthimit të Fan Nolit në letërsinë shqipe, Ambasador Bujar Skendo ka thënë se ai ishte mahnitur nga veprat që u prezantuan në këtë aktivitet.

Editorja e seksionit të anglishtes në gazetën Dielli, Rafaela Prifti shkruan në statusin e saj mes të tjerave se : “ Ky është përurimi i parë i librit Përtej Harrimit në Amerikë. Prej këtej mund të nisë një cikël i prezantimit të librit në bashkësitë shqiptare nga një cep i Amerikës në tjetrin, madje duke përfshirë edhe shkollat dhe komunitetet frankofone. E them këtë thotë ajo sepse libri i Ermirës i bie një këmbane alarmi për të tatëpjetën që ka marrë Shqipëria, është një sinjal se koha që krijoi Enver Hoxhën nuk ka perënduar, dhe për aq kohë sa do të ketë diktatorë dhe vrasës të lirisë si Enver Hoxha, do ketë edhe antikomunistë dhe viganë të mendimit si Abdulla Rami”.

Për gazetaren Rafaela Prifti “Përtej Harrimit” qëmton fakte historike dhe paraqet momente jetësore të Ramit, herë pas here në paralele me jetët e bashkëliceistëve dhe diplomantëve të tjerë shqiptarë, dhe të ndërthurura me vargje për figurat e Revolucionit Francez dhe figura si Invictus në poezitë e përkthyera prej tij, duke dhënë atë që është thelbësore. Ai thotë ndër të tjera se njerëzit vijnë e shkojnë nga kjo jetë, se qytetërimet lulëzojnë e shuhen, se mbretëritë madje edhe perandoritë janë të përkohshme por librat janë të përjetshëm. Dhe Abdulla Rami lindi për të jetuar në libra. Ai erdhi në jetë në Tatzat të Labërisë, u shkollua në shumë qytete dhe shkolla prestigjioze, u martua e krijoi familje, arriti në moshën 54 vjeçare kur doli nga burgu kishte qenë aty një të tretën e jetës së tij dhe pjesën tjetër ishte i detyruar të bënte punë të rëndë fizike që nga hekurthyes, ndërtimtari dhe bujqësi.

Autorja dhe përkthyesja Ermira Xhomaqi Godo, mbesa e Abdulla Ramit, në fjalën e saj ndër të tjera deklaroi se Shqipëria ka sot nevojë të domosdoshme punën me kujtesën, Shqipërisë i duhet një regjistër Kombëtar për Regjistrimin, Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Kujtesës sonë Kombëtare, Shqipërisë i duhen muzetë e viktimave dhe qëndrestarëve të totalitarizmit, memorialet e të vrarëve e të pushkatuarve pa gjyq e pa varr, Shqipërisë i duhen ditët e Kujtesës, jo vetëm në emër të viktimave të komunizmit, por mbi të gjitha Ditët e Kujtesës së Qëndresës ndaj diktaturës, muzetë “Akt Qëndrese e Lirie”, në nderim të Kujtimit të Kundërshtarëve politikë, të Disidentëve dhe të Martirëve.

Prof.Asoc.Dr. Besim Muhadri, doktor i shkencave letrare dhe shkrimtar shqiptar nga Kosova, duke marrë pjesë në këtë aktivitet në Nju Jork, ka lënë një shënim në llogarinë e tij në Facebook, ku shkruan se:” Sot në Nju Jork, në selinë e “Vatrës”, në promovimin e librave: “Përtej harrimit, Abdulla Rami” të Ermira Xhomaqi Godo dhe “William Shakespeare” të Viktor Hygoit (Victor Hugo), të përkthyer nga Abdulla Rami. Me këtë rast u përkujtua edhe 50-vjetori i revoltës në burgun famëkeq të Spaqit, e njohur si “Revolta e Spaqit”. Promovimi i librave u bë në organizim të “Vatrës” dhe gazetës “Dielli”.

Promovimi i sotëm te Vatra si përkujtim dhe homazh, editori i Diellit në shkrimin e tij për këtë veprimtari të organizuar dhe mbajtur në Vatër, e ka përmbyllur duke thënë se kjo ishte ndër ngjarjet më të rëndësishme si nga tematika dhe pjesëmarrja në kalendarin e aktiviteteve patriotike dhe kulturore të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA.

21 maj 1973, revolta e të burgosurve politikë në Spaç

– 50 vite më parë të burgosurit politikë ngritën flamurin pa yllin komunist në burgun e Spaçit –

Shumë vite më vonë, me shtimin e kampeve dhe burgjeve në Shqipëri, terrori i regjimit komunist ishte dhe më i madh, si jashtë, por më i tmerrshëm brenda burgjeve, por nuk kishte ndodhur që të kishte revolta të organizuara kundër pushtetit, deri kur më 21 maj 1973, revoltohen të burgosurit politikë të Spaçit.

Më 21 maj të këtij viti, shënohet 45-vjetori i revoltës antikomuniste të të burgosurve politikë në burgun famëkeq të Spaçit, ku u ekzekutuan Skënder Daja, Pal Zefi, Dervish Peka dhe Hajro Pashai.

45 vite nga revolta e të burgosurve politikë në burgun e Spaçit, që nisi më 21 maj 1973 si një kundërshtim i thjeshtë i rregullave, por në thelb kishte kundërshtim të thellë, revoltë kundër regjimit diktatorial.

Protesta e të burgosurve politikë nisi me flamurin pa yll, pikturuar nga Mersim Vlashi 32 vjet burg (i cili sot nuk jeton më), më pas parullat “Ja vdekje, ja liri!”, “Rroftë Shqipëria e lirë!”, “Populli është me ne!”, “Rroftë Evropa e lirë!”, që vazhduan për mbi 3 ditë në tarracën e burgut nga 100 të burgosur, që u rrethuan me shpejtësi nga mbi 4500 trupa ushtarake nga Shkodra e Tirana, të cilët hapnin zjarr nga të gjitha anët.

Ndërsa flamurin e ngriti Nemi Pasha, një i burgosur politik që vuajti plot 22 vite në burgjet e diktaturës, ku 17 prej tyre në Spaç, dhe sot nuk rron më.

Revolta e Spaçit i tregoi Shqipërisë dhe botës se rezistenca e popullit shqiptar vazhdoi të mbijetonte, megjithë dhunën dhe presionin e diktaturës, e cila zgjati 3 ditë radhazi kur të burgosurit valëviten në tarracën e burgut famëkeq një flamur të Skënderbeut pa yllin komunist, duke kënduar dhe hedhur parulla kundër diktaturës, derisa u shtyp me gjak.

20 maj 1908 – Përkujtimi i 115 vjetorit të lindjes së Abdulla Ramit

Një Memorial Qëndror të denjë e të merituar, një Ditë Kujtese Kombëtare, Një Muze e Qëndër Studimore Memuaristike, që Shqipëria u detyrohet Viktimave e Qëndrestarëve të diktaturës komuniste, Shqipëria ende nuk i ka. Kur do t’i ketë vallë? Historia jonë po pret prej më shumë se 30 vitesh… “Për të kujtuar” – Është shkruar në shqip, në Muzeun e Viktimave të Komunizmit në Washington DC… Sot 20 maj 1908 – Përkujtimi i 115 vjetorit të lindjes së Abdulla Ramit – intelektualit që 18 vitet më të shndritshme të jetës së tij i vuajti në burgun e Burrelit, juristi e gjyqtari me dimensionin e pashkurajuar të çështjes së Kosovës, politikani antikonformist, përkthyesi poliglot e studiuesi përzgjedhës…Një poezi e përkthyer prej tij në internim, me mendimin se jeta në vargje thotë më shumë se çdo fjalë, e se fjalët dëshmojnë shumë më tepër për të.
***
I Pamposhturi
I
Mu në natën të zezë pisë,
Ku mua terri më mbulon,
Falem, lutem Perëndisë,
Për shpirtn’ e paepur që m’dhuron.
II
Mu në kthetrat e rrethanës,
Heshtur, me syrin shigjetë.
Nën goditjet e Fat’thanës,
Kryet gjak gjithmon përjetë.
III
Në kët’ vënd hidhërim e loti,
Ku nuk sheh veç tmerrin furrë,
Kërcënim i kohës së çdo moti,
Mua më gjen gjithnjë burrë!
IV
Sado ngushtë të jetë dera,
Edhe pesha e dënimit,
Jam Zot Fati përngahera,
Ngjeshur me zemrën e trimit.
***
Shqipëruar në 25 Dhjetor 1968 – në vitet e internimit. Është një nga poemat më të fuqishme që ka shoqëuar Nelson Mandelën në vitet e burgut, është interpretuar vite më pas nga aktori i njohur Clint Eastwood, në filmin «I pamposhturi», është recituar nga aktori Robert Cummings në filmin «Kings Row», e gjejmë në librin «Zemra e thyer nga sëmundja» (Coeur Brisé Par La Maladie) e Adrien Michon, e cituar në romanin «Le Quatrième Soupirail» të Marie-Sabine Roger, është kënduar nga TheLvPringles në albumin «Let’s Ride», ajo mbetet poema më e famshme e poetit britanik William Ernest Henley e ilustron mrekullisht, stoicizmin viktorian, qëndresën ndaj vuajtjeve, sfidën ndaj vdekjes dhe zotërimin e vetvetes.

Foto – Dorëshkrime të Ramit – Gosë (Kavajë) vitet ’60

TË FUNDIT

ME TE LEXUARA

LEXO MË SHUMË

treni

Me tren falas për në Evropë, BE dhuron 35 mijë bileta për të rinjtë

IMG_1227

Shqiptarët mbeten pa deputet në Kroaci, Ermina Lekaj Prljaskaj nuk siguroi votat e duhura

zvicra

Zvicra, vendi më tërheqës për të bërë biznes

aksident gjermani kamion

Aksident i rëndë në Gjermani, shoferi i kamionit nga Maqedonia

policia kroaci kroate

​Shqiptarja që fshehu aksidentin me dy të vdekur në Kroaci (FOTO)

Accident or crime scene cordon tape, police line do not cross. It is nighttime, emergency lights of police cars flashing blue, red and white in the background

Atentat shqiptarit në Spanjë, 33-vjeçari qëllohet me 5 plumba në një qendër tregtare – zbardhen detaje nga ngjarja e rëndë

flamur-nju-jork

SHBA/ Më 19 maj në New York mbahet panairi i tretë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”

valle mergimtar flamuri kuq e zi diaspora

Po vazhdon regjistrimi online i Diasporës, përmes eDiaspora

policia gjermane gjermani

Shqiptari (23) arratiset nga policia gjermane me 200 km/h

INFO

NA NDIQ