Tre shtetas serbë të akuzuar për sulm me bojë ndaj objekteve hebraike në Francë – dyshohet për përfshirje ruse.
Në fillim të muajit qershor, tre shtetas serbë janë akuzuar nga një gjyqtar francez për vandalizimin e disa objekteve hebraike në Paris, bëri të ditur një burim gjyqësor të premten, duke shtuar se hetuesit dyshojnë se pas grafiteve qëndron Rusia. Rasti ngjason me një seri incidentesh të ngjashme në vitin 2023, kur dy shtetas moldavë u arrestuan për sulme të ngjashme të kryera me nxitjen e shërbimeve sekrete ruse, shkruan France 24, përcjell agjencia e lajmeve INA.
Një fotografi e bërë pranë Sinagogës “Des Tournelles” më 31 maj 2025, tregon dëmtimet me bojë të gjelbër që u bënë ndaj disa objekteve hebraike në kryeqytetin francez.
Një gjyqtar francez i ka ngritur aktakuzë tre serbëve për vandalizim të objekteve hebraike me bojë gjatë fundjavës, nën akuzën se “kanë vepruar në shërbim të një fuqie të huaj”, sipas një burimi gjyqësor.
Një burim pranë hetimit theksoi se hetuesit dyshojnë se Rusia qëndron pas këtyre sulmeve, për të cilat të dyshuarit u akuzuan të enjten në mbrëmje. Ata kishin shkëmbyer mesazhe në platformën Telegram me persona të tjerë që ende nuk janë arrestuar.
Memoriali i Holokaustit në Francë, tri sinagoga në Paris dhe një restorant u dëmtuan me bojë gjatë natës nga e premtja në të shtunën, në një akt që ambasada izraelite e cilësoi si “sulm të koordinuar antisemit”.
Burimi i afërt me çështjen tha se tre të dyshuarit – dy vëllezër të lindur në vitin 1995 dhe një person tjetër i lindur në vitin 2003 – e kishin kryer veprën për shkak të përfitimit financiar, pa qenë të vetëdijshëm për implikimet gjeopolitike.
Ata ishin arrestuar të hënën në juglindje të Francës, ndërsa po përpiqeshin të largoheshin nga vendi.
Ministri i Brendshëm i Francës, Bruno Retailleau, u shpreh se ishte “thellësisht i neveritur nga këto akte të shëmtuara që kishin në shënjestër komunitetin hebre”.
Presidenti izraelit Isaac Herzog tha të shtunën se ishte “i tronditur” nga vandalizimi në Paris, duke theksuar se stërgjyshi i tij kishte qenë rabin në një nga sinagogat e prekura.
Në prag të Lojërave Olimpike Verore në Paris vitin e kaluar, disa aksione të bujshme të cilat synonin të ndikonin opinionin publik francez, bënë që autoritetet të drejtonin gishtin nga Moska.
Ndër to përfshihet edhe incidenti i majit 2024, kur në memorialin kryesor të Holokaustit në Paris u vizatuan duar të kuqe.
Në tetor të vitit 2023, menjëherë pas sulmit të militantëve palestinezë ndaj Izraelit që nxiti luftën e fundit në Gaza, u vizatuan yje të Davidit në ndërtesa të rajonit të Parisit. Më pas, dy moldavë u arrestuan si të dyshuar për bashkëpunim me shërbimin sekret rus FSB.
Rusia, nga ana e saj, ka mohuar çdo përfshirje në ndonjë prej skenarëve të përmendur nga autoritetet franceze. (INA)