Tregtari i majmunave dhe Big Commerce

Në një pyll afër një fshati të largët jetonin shumë majmunë.
Papritmas në fshat u paraqit një tregtar i cili njoftoi se donte të blinte majmunë me çmim 100 € për kokë. Fshatarët menduan se ai ishte i çmendur. Si mundet dikush të blejë majmunë endacak për 100 €?
Megjithatë, disa njerëz kapën disa majmunë dhe ia dhanë tregtarit dhe ai u dha atyre 100 € për çdo majmun.
Ky lajm u përhap me shpejtësi dhe shumë njerëz kapën më shumë majmunë për t’ia shitur tregtarit. Pas disa ditësh, tregtari njoftoi se do të blinte majmunët me çmim 200 €.
Edhe fshatarët më dembelë tani vrapuan për të kapur majmunët e mbetur dhe ia shitën për 200 €.
Nuk vonoi pak dhe tregtari njoftoi se do të blinte majmunë për 500 €.
Atëherë fshatarët më të shkathtë kapën gjashtë ose shtatë majmunët e fundit, që kishin mbetur në pyll, dhe morën nga 500 € për secilin.
Fshatarët prisnin me ankth njoftimin e radhës.
Pastaj tregtari tha se do të largohej në një udhëtim zyrtar për një javë dhe tha se kur të kthehej do të blinte majmunë me çmim 1000 €.
Ai në fshat la një punonjës të tij që të kujdeset për majmunët e grumbulluar në një kafaz gjigant.
Tregtari u largua, por fshatarët kishin një hall të madh se në pyll nuk kishin mbetur më majmunë për t’i shitur me çmim 1000 € secilin.
Pastaj punonjësi u tha se ai atyre do t’ua shesë fshehurazi majmunët për 700 € secili.
Ky lajm u përhap me shpejtësi. Meqenëse tregtari do t’i blinte majmunët me çmim 1000 €, ata do fitonin nga 300 € për çdo majmun.
Të nesërmen fshatarët filluan të shtyhen para kafazit të majmunëve.
Punonjësi i shiti të gjithë majmunët për 700 € secilin dhe u largua, duke u thënë se do të kthehet bashkë me pronarin.
Të pasurit blenë majmunë në sasi të mëdha. Të varfrit huazuan para nga huadhënësit dhe gjithashtu blenë majmunë.
Fshatarët u kujdesën për majmunët dhe prisnin që tregtari të kthehej.
Por, as ai e as punonjësi i tij, nuk u kthyen kurrë në fshat.
Fshatarët më pas kuptuan se kishin blerë majmunët endacakë të padobishëm për 700 € dhe se nuk kishin më kujt t’ia shesin.

Ju tingëllon kjo shumë e ngjashme me Bitcoin-in dhe kriptovalutat tjera?
Ndoshta nuk do të jetë e largët dita kur bitcoinët të cilët i keni blerë shumë shtrenjtë nuk do të keni kujt t’ia shitni!?
Nëse atëherë do të ndjeheni si majmun, ta dini se fajin nuk e kishte tregtari!
/Huazuar/