Donald Trump, presidenti i Shteteve të Bashkuara, ka ndezur sërish debatet duke deklaruar se dëshiron një mandat të tretë presidencial, edhe pse Kushtetuta e SHBA-së e ndalon qartë këtë gjë.
Në një intervistë telefonike për rrjetin NBC News, Trump tha: “Shumë njerëz duan që unë ta bëj. Por unë u them: kemi ende rrugë për të bërë. Është herët për ta diskutuar. Jam i fokusuar te ajo që po bëjmë tani.”
I pyetur drejtpërdrejt nëse do të donte një mandat tjetër, ai u përgjigj: “Më pëlqen të punoj.”
Gazetari e pyeti nëse po bënte shaka. Trump u përgjigj: “Jo, nuk po bëj shaka.” Ai shtoi se “ka mënyra për ta bërë këtë.”
Një nga mënyrat që përmendi është që zëvendëspresidenti i tij, J.D. Vance, të kandidonte për president dhe më pas t’ia transferonte atij detyrën. Ai e quajti këtë “një nga rrugët e mundshme”.
Sipas Amendamentit të 22-të të Kushtetutës së SHBA, asnjë person nuk mund të zgjidhet President më shumë se dy herë. Çdo ndryshim i këtij rregulli do të kërkonte shumicë të cilësuar në Kongres dhe miratim nga ¾ e shteteve – një proces shumë kompleks.
Këto deklarata të Trump kanë ndezur diskutime në skenën politike amerikane, me shumë që i shohin si një mënyrë për të testuar reagimin publik dhe për të lënë të hapur një mundësi të ardhshme kandidimi përtej limiteve aktuale kushtetuese. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.