Trump i çliruar pas hetimit lidhur me Rusinë: Prokurori Mueller veproi me ndershmëri

0

Pasi e ironizoi për muaj me radhë prokurorin Special Robert Mueller lidhur me hetimin për mundësinë e lidhjeve me Rusinë gjatë fushatës elektorale të vitit 2016, Presidenti Trump tha të hënën se zoti Mueller kishte vepruar në mënyrë të ndershme, duke e nxjerrë atë të pafajshëm ndaj akuzave për bashkëpunim me Moskën.

Udhëheqësi amerikan e pati cilësuar shumë herë hetimin “gjueti shtrigash”, por pas publikimit të një përmbledhjeje të raportit të zotit Mueller, u shpreh se konkluzioni i tij ishte “100 për qind ashtu siç duhej”.

Zoti Trump reagoi si fitimtar ditën pasi Prokurori i Përgjithshëm William Barr publikoi përmbledhjen e raportit të zotit Mueller lidhur me hetimin që zgjati për 22 muaj, duke thënë: “Ne nuk mund ta lejojmë t’i ndodhë kjo një tjetër presidenti amerikan.”

Presidenti tha se zyrtarët e zbatimit të ligjit që hapën hetimin para fillimit të hetimit nga zoti Mueller në maj të vitit 2017 bënë “shumë gjëra të këqija”, prandaj ata duhet të mbahen përgjegjës në një hetim të ri. Ai i cilësoi veprimet e këtyre zyrtarëve “tradhëti.”

I ulur në krah të Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, gjatë një ceremonie në Shtëpinë e Bardhë, zoti Trump nuk komentoi lidhur me mungesën e një vendimi nga zoti Mueller lidhur me çështjen nëse ai ishte përpjekur të pengonte drejtësinë, ndërsa përpiqej të parandalonte zhvillimin e një hetimi. Donald Trump u shpreh se publikimi i raportit të plotë të zotit Mueller “nuk do të më shqetësonte aspak.”

Shtëpia e Bardhë u shpreh të hënën se raporti i Prokurorit të Posaçëm Robert Muller, provon se presidenti Trump është i pafajshëm.Prokurori i Përgjithshëm William Barr publikoi të djelën një letër ku thotë se hetimi i Prokurorit të Posaçëm, Robert Mueller mbi ndërhyrjet e Rusisë në zgjedhjet e 2016-ës nuk ka zbuluar prova se Presidenti Donald Trump, apo persona të tjerë që punonin për fushatën e zotit Trump kishin bashkëpunuar në mënyrë të fshehtë me Rusinë. Lidhur me dyshimet e tjera në se Presidenti Trump ka penguar drejtësinë apo jo, raporti i zotit Muler nuk jep një përgjigje të qartë PO ose JO.

Shtëpia e Bardhë tha të hënën se hetimi i gjatë lidhur me kontaktet mes agjentëve rusë e fushatës së zotit Trump shërbeu për të shpaguar presidentin, duke thënë se konkluzionet e raportit e nxjerrin presidentit “tërësisht dhe plotësisht të pafajshëm”.