Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar se do të vendosë sanksione të rënda financiare ndaj importeve të naftës ruse, nëse Moska nuk pranon një armëpushim në Ukrainë brenda një muaji.
Në një intervistë për NBC, Trump u shpreh i zemëruar pas deklaratave të presidentit rus Vladimir Putin, i cili kërkoi zëvendësimin e Volodymyr Zelensky-t me një qeveri tranzitore të mbështetur nga OKB-ja.
“Jam shumë i zemëruar dhe shumë i irrituar,” tha Trump. “Nëse unë dhe Rusia nuk arrijmë një marrëveshje për të ndalur gjakderdhjen në Ukrainë, dhe nëse unë mendoj se është faji i Rusisë — që mund të mos jetë — por nëse mendoj se është faji i Rusisë, do të vendos tarifa sekondare ndaj gjithë naftës që del nga Rusia.”
Trump tha se Putini ishte i vetëdijshëm për zemërimin e tij, por vuri në dukje se zemërimi mund t’i “largohet shpejt” nëse Putin “bën gjënë e duhur”.
Trump tha se parashikon të flasë me presidentin rus gjatë javës.
Trump e specifikoi qartë kërcënimin ekonomik: “Nëse blen naftë nga Rusia, nuk do të kesh më qasje në tregun amerikan. Do të ketë një tarifë 25 për qind për gjithë naftën, ndoshta 25 deri në 50 për qind tarifë.”
Kjo do të ishte një formë e “sanksioneve sekondare”, që do të preknin edhe vendet që vazhdojnë të blejnë naftë nga Rusia, jo vetëm vetë Moskën.
Një manovër që, praktikisht, kërcënon me përjashtim nga tregu amerikan çdo kompani apo shtet që vijon të furnizohet me naftë ruse.
Kjo ndërhyrje vjen në një moment kur kishte shenja të një “ngrohjeje” të marrëdhënieve mes Uashingtonit dhe Moskës, me Shtëpinë e Bardhë që po sinjalizonte gatishmëri për të lehtësuar disa sanksione në këmbim të një armëpushimi në Detin e Zi.
Por qëndrimi i Trumpit përmbys këtë klimë.