Trump nis luftën e parave

0

Shkurtimi i fondeve për Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) nga administrata amerikane duket se do të përcaktojë një moment të ri për rendin ndërkombëtar.

OKB-ja u krijua me iniciativë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) si pasuese Lidhjes së Kombeve, në emër të ruajtjes së paqes dhe krijimit të një rendi që përmbante botën nga luftërat.

Por me rezolutën e propozuar nga Turqia, SHBA-ja duket se po humbet betejat e veta në një organizëm që sot përfaqëson kombe që nuk janë më ata të vitit 1945.

Deklarimet e ambasadores, Nikky Haley, janë vetëm një aspekt, pasi në këtë drejtim SHBA-ja ka kohë që kërkon reformim të OKB-së. Kështu në vitin 2000-2001, SHBA këmbënguli për ulje të financimeve ndërkohë që formula e financimit bazohet mbi buxhetet e shteteve anëtare që sot janë 193.

Por edhe kjo përbën problem. Ish-ambasadori amerikan në OKB, John Bolton, aktualisht një pjesëmarrës i rregullt në emisione të ‘Fox News’, televizioni i preferuar i Presidentit amerikan, Donald Trump, ka shprehur në profilin e vet në ‘Twitter’, pakënaqësinë e madhe për atë që ndodhi me votimin për Jerusalemin.

“OKB tregoi ngjyrat e vërteta me votën 128-9 që dënonte njohjen e Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit”, shkruan ai.

Në një postim të dytë, Bolton sugjeron reformim të sistemit të financimit të OKB-së, duke rekomanduar që çdo vend anëtar të paguajë për atë që dëshiron dhe pret të marrë.

“Agjencitë të cilave nuk u adresohen fondet do të kenë shkurtime fondesh”, vijon Bolton që shton se pavarësisht reformave, asgjë nuk ka ndryshuar në kulturën dhe efektivitetin e OKB-së.

Diçka duket se po lëviz në këtë drejtim dhe Trump po bën atë që di të bëjë më mirë: luftën e parave. Shkurtimi i fondeve me 295 milionë dollarë për një organizatë që në vitet 2013 e kishte buxhetin total diku te 5-6 miliardë dollarë, është shumë domethënëse. Nuk ka gjasa që ky vakuum financiar të zëvendësohet, por në çdo rast, SHBA po braktis atë entitet që mishëronte vizionin e saj për rendin ndërkombëtar.

Aq më shumë rëndësi merr kjo po të shihet shkurtimet e fondeve mund të prekin shumë vende që votuan kundër SHBA për Jerusalemin. Këto dy ditë, Presidenti Trump njoftoi në ‘Twitter’ ndërprerjen e ndihmave për Pakistanin, që siç tha ai ka përfituar 33 miliardë dollarë ndihmë amerikane, pa hequr dorë për asnjë moment nga financimi dhe mbështetja e terroristëve në Afganistan.

“Jo më”, shkruan Trump, duke paralajmëruar se politika e bujarisë me paratë e SHBA-së nuk do të vazhdojë më.

Kjo qasje, apo më mirë ky reagim do të ketë patjetër pasoja të thella. Rendi ndërkombëtar i sotshëm ndërtohet kryesisht mbi garancitë amerikane, edhe pse që nga lufta e vitit 2003 në Irak, besimi te këto garanci është gërryer shumë.

Por është fakt se bota e sotme nuk është ende gati të bëjë zëvendësimin e madh të qendrave vendimmarrëse. Trump ngjan se është shumë më tepër sesa një zhurmues proamerikan. Pas tij qëndron një frymë e gjithë në SHBA që po kërkon ndryshimin e paradigmave në politikën e jashtme.

Këto ditë, e mirënjohura ‘Newsweek’, një ‘armike’ e Trump në fushatë, i kushtonte një shkrim të gjatë ideologut të së djathtës ekstreme amerikane, Steve Bannon. Në këtë shkrim, sillej në vëmendje ideologjia e tij e Nacionalizmit Ekonomik, që sipas tij me Trump ka provuar se funksionon.

“Nacionalizmi ekonomik do të dijë vetëm për shtëtësinë tuaj amerikane”, shprehet Bannon, i cili e sheh veten si Lorencin e Arabisë në bashkimin e rrymave të ndryshme të së djathtës amerikane, pa ua cenuar identitetin.

Diçka që po ndodh në brendësi të SHBA-së po reflektohet jashtë saj dhe në një politikë, që fton për një gjë: pro apo kundër SHBA-së. Me këtë ideologji duket se OKB-ja ashtu siç u konceptua nga Roosevelt dhe në kushtet e sotme të ndryshimit të raportit të forcave nuk i përshtatet më SHBA-së dhe kjo po bëhet e qartë.

Lexo më shumë në: http://www.gazetaexpress.com/lajme/trump-nis-luften-e-parave-481756/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright