Trump optimist: Ekonomia mund të rihapet për Pashkët

0

Në Shtetet e Bashkuara është arritur një marrëveshje për një projektligj që lehtëson impaktin ekonomik të pandemisë. SHBA-ja është tani vendi i tretë në botë me mbi 55 mijë të infektuar, pas Kinës dhe Italisë.

Kongresi dhe qeveria amerikane kanë arritur marrëveshje për të injektuar 2 trilionë dollarë në ekonomi, për të shmangur recesionin e mundshëm që pandemia e koronavirusit pritet t’i sjellë vendit. Marrëveshja parashikon 500 miliardë dollarë për korporatat e mëdha, mbi 600 miliardë dollarë kredi për bizneset e vogla, për spitalet dhe qeveritë lokale e qendrore, dhe një çek deri 1,200 dollarë për çdo amerikan që fiton deri 75 mijë dollarë në vit.

Paketa pritet të kalojë të mërkurën në Senat dhe më pas në Dhomën e Përfaqësuesve. Presidenti Donald Trump thotë se ai pret që kjo situatë të zgjatë deri në javën e dytë të prillit. “Synimi është të lehtësojmë rregullat dhe të hapim sektorët më të mëdhenj të ekonomisë teksa përmbyllim betejën historike me armikun e padukshëm. Mendoj se kjo mund të ndodhë për Pashkët,” theksoi shefi i Shtëpisë së Bardhë. Sipas OBSH-së, SHBA-ja rrezikon të kthehet në vatrën e re të pandemisë pas Europës.