Trump parashikon 5 përqind rritje të GDP-së në tremujorin e ardhshëm

0

Presidenti amerikan, Donald Trump ka parashikuar të martën se rritja ekonomike amerikane do të rritet në 5 përqind, transmeton AFP.

Duke folur para disa liderëve të biznesit gjatë një darke në Nju Xhersi, Trump ka thënë se rritja “mund të shkojë në pesë” në tremujorin e ardhshëm.

“Askush nuk ka menduar se do jetë as afër 2 përqind, derisa ne kemi arritur në 4.1. Mendoj se do të shkojmë edhe më lart”, është shprehur ai.

Sipas një raporti qeveritar, ekonomia amerikane tani tejkalon shifrën prej 20 trilionë dollarëve dhe rritja e bruto-prodhimit të brendshëm prej 4.1 përqind në periudhën prill-qershor, e kthen SHBA-në në vendin me rritjen më të shpejtë ekonomike në krahasim me vendet tjera të zhvilluara.

Mirëpo ekonomistët kanë paralajmëruar se ky trend mund të përballet me pengesa nga faktorë të përkohshëm duke përfshirë edhe konfliktin tregtar që ka Trump me Kinën.