Presidenti amerikan Donald Trump ka bërë një njoftim të bujshëm në rrjetin e tij social Truth Social, duke deklaruar se është arritur një armëpushim i plotë midis Izraelit dhe Iranit, pas një konflikti të përgjakshëm 12-ditor, përcjell CBSNews.
Në mesazhin e tij, Trump shkruan:
“Zyrtarisht, Irani do të nisë ARMËPUSHIMIN pas orës së 12-të. Izraeli do të ndjekë me ARMËPUSHIMIN e tij më pas, dhe pas 24 orëve, bota do të përshëndesë përfundimin zyrtar të LUFTËS 12-DITORE. Gjatë gjithë kohës së armëpushimit, të dyja palët do të qëndrojnë TË QETA dhe ME RESPEKT.”
Ai shtoi se, nëse gjithçka shkon sipas planit, “dëshiron të përgëzojë të dyja vendet, Izraelin dhe Iranin, për qëndrueshmërinë, guximin dhe mençurinë për ta përmbyllur këtë konflikt.”
“Kjo ishte një luftë që mund të zgjaste me vite dhe të shkatërronte të gjithë Lindjen e Mesme – por nuk ndodhi, dhe kurrë nuk do të ndodhë! Zoti e bekoftë Izraelin, Zoti e bekoftë Iranin, Zoti e bekoftë Lindjen e Mesme, Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ZOTI E BEKOFTË BOTËN!”
Deri më tani, nuk ka pasur konfirmim zyrtar nga qeveritë e të dyja vendeve, por deklarata e Trump ka nxitur reagime të shumta në arenën ndërkombëtare. Sytë janë tani të drejtuar nga Teherani dhe Tel Avivi për të parë nëse armëpushimi do të hyjë realisht në fuqi.(INA)