Trump: Yovanovitch nuk e vari fotografinë time në ambasadë

0

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e kritikoi ish-ambasadoren e SHBA-së në Ukrainë, Marie Yovanovitch, duke thënë se ajo ka refuzuar ta varë fotografinë e tij në ambasadën amerikane në Ukrainë.

“Kjo ambasadore, për të cilën të gjithë thonë se ishte e mrekullueshme, nuk e ka varur fotografinë time në ambasadë”, tha Trump në një intervistë për Fox News.

Presidenti nuk dha detaje të tjera për këtë çështje.

Yovanovitch dëshmoi javën e kaluar para një paneli të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, në kuadër të hetimeve që po bëhen për shkarkimin e presidentit Trump.

Trump akuzohet se i ka bërë presion presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, për të zbuluar informacione të dëmshme për njërin nga sfiduesit e tij kryesorë demokratë, Joe Biden, dhe djalin e tij.

Trump e mohon çdo keqbërje, por kërkimi i ndihmës nga jashtë për të fituar zgjedhjet në SHBA, është akt i paligjshëm.