“Presidenti Trump ka folur për Kosovën të paktën tri herë kohët e fundit. Para ca ditësh tha se e ka meritur Nobelin kur ka arritur Marrëveshjen e Uashigntonit dhe disa marrëveshje të tjera. E ka përmendur edhe para dhe gjatë samitit të NATO-s në Hagë. Trump e përmendi Kosovën dhe Serbinë si një shembull të konflikteve që, sipas tij, janë zgjidhur gjatë mandatit të tij”, ka shkruar gazetari Bahri Cani nga DW.
Sipas tij, Trump tha se situata ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është ndër ato që “është sjellë në një përfundim”, duke iu referuar rolit të administratës së tij në ndërmjetësimin e dialogut Kosovë-Serbi në vitet e mëparshme.
Kosova në samit është përmendur edhe nga Sekretari i NATO-s, Mark Rutte. Rutte tha se NATO vazhdon të jetë e fokusuar në rajonin e Ballkanit Perëndimor përmes trupave të saj në Kosovë dhe Bosnjë- Hercegovinë, ndënëse në këtë samit vëmendja ishte përqendruar tek Trumpi, Lindja e Mesme dhe Ukraina.
Sidoqoftë, Rutte ka thënë se KFOR-i vazhdon të jetë në Kosovë dhe EUFOR-i në Bosnje e Hercegovinë.
E ndër ata që ka folur për Kosovën është edhe residenti turk, Recep Tayyip Erdogan. Erdogani tha se pjesëtarët e KFOR-it turk janë në rajonin e Ballkanit Perëndimor “për paqe dhe qetësi”. “Siç e dini, KFOR-i turk është në rajon. Pse është në rajon? Për paqe, për qetësi, dhe përderisa ne jemi atje, dhashtë Zoti të mos kemi probleme atje”, deklaroi Erdogani në konferencën me media pas samitit të NATO-s në Hagë”, shkroi gazetari Cani.(INA)