Tsipras pranon humbjen, Mitsotakis nesër betohet si kryeministër i Greqisë

0

Aleksis Tsipras ka pranuar humbjen në zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme që u zhvilluan të dielën (7 korrik).

Me anë të një telefonate, kryeministri në ikje i Greqisë e ka uruar për fitoren kryetarin e Demokracisë së Re Kyriakos Mitsotakis.

Nga ana e tij kreu i Demokracisë së Re e falenderoi Tsiprasin për telefonatën.

Ceremonia e dorëzimit të detyrës dhe e pritjes do të zhvillohet të hënën në rezidencën Maximos, menjëherë pas betimit të Kyriakos Mitsotakis në Pallatin Presidencial në orën 13:00.

Sipas informacionit të publikuara nga mediat greke, të hënën në mbrëmje pritet të bëhet shpallja e  qeverisë së re, e cila, pritet të betohet mesditën e së martës.

Tsipras në komentin e parë pas humbjes tha se e respektoi vullnetin e popullit grek që votoi Demokracinë e Re për pushtet.

“Sot, me kokën tonë lart, ne e pranojmë vendimin e popullit. Për të sjellë Greqinë aty ku është sot ne morëm vendime të vështira me një kosto të rëndë politike, “tha Tsipras.

Cipras mori përgjegjësinë për humbjen e SYRIZA-s dhe u zotua do ta “shndërrojë” atë në një “parti të madhe demokratike progresive”.

/Ora News.tv/