Turqia ia hap dyert Serbisë: 0% taksë për produktet serbe

0

Lufta diplomatike e Serbisë karshi Kosovës ka bërë që kjo e fundit të vendosë taksë 100% për gjitha mallrat serbe, mirëpo ndryshe po vepron një shtet mik i Kosovës.

Turqia e Rexhep Taip Erdogan, ka miratuar në Parlamentin e saj një marrëveshje të tregtisë së lirë midis Serbisë dhe Turqisë. Kësisoj, kjo do të krijojë kushte për rritjen e numrit të produkteve pa doganë në mes të dy vendeve. Beogradi zyrtar ka konfirmuar lajmin rreth taksës 0%.

Zëvendës kryeministri dhe ministri i Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikacionit Rasim Ljajiç ka folur rreth marrëveshjes që, sipas tij, do t’i sjellë të mira shteteve përkatëse. “Presim që marrëveshja të jetë një nxitje e fuqishme për të rritur eksportet në Turqi dhe për të zgjeruar volumin e tregtisë mes dy vendeve, e cila për herë të parë ka tejkaluar shifrën prej një miliard eurosh”, është shprehur numri dy i qeverisë serbe.