Tusk: Shqipëria e ka vendin në BE, do të bëhet anëtare

0

Vendi i Shqipërisë pa asnjë dyshim është në Bashkimin Evropian dhe Shqipëria do të bëhet një anëtare e BE-së. Kështu ka deklaruar të premten në Bruksel, presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.Por, sipas Tusk, për të arritur këtë objektiv, Shqipëria duhet të vazhdojë me këtë temp reformash, që të jetë në gjendje që të përmbushë të gjitha rezultatet e kërkuara deri në qershorin e ardhshëm.

Presidenti i KE-së, Tusk, ka falënderuar me këtë rast kryeministrin Rama për një punë të shkëlqyer, përcjell Koha.net. “Kanë kaluar vetëm pak javë, që kur Këshilli vendosi të përcaktojë rrugën drejt hapjes së negociatave me Shqipërinë, në qershor 2019 dhe Komisioni ka nisur që tani punën përgatitore. Ky është një vendim që ka qenë unanimisht i miratuar nga të gjithë krerët dhe qeveritë e BE-së. Ky progres nuk do të kishte qenë i mundur pa progresin e qëndrueshëm dhe të pakthyeshëm në rrugën e reformave që ka bërë Shqipëria”, tha Tusk, duke shtuar: “Pa dyshim kjo nuk do të kishte qenë e mundur edhe pa angazhimin personal të kryeministrit Edi Rama dhe energjinë e tij pozitive, prandaj shumë faleminderit kryeministrit të Shqipërisë që ka bërë një punë të shkëlqyer”.

Presidenti i KE-së me këtë rast ka shprehur dëshirën dhe shpresën që të gjitha forcat pro perëndimore në Shqipëri të punojnë drejt të njëjtit qëllim. Ndërkohë që ka vlerësuar përpjekjet e Qeverisë shqiptare dhe kryeministrit Rama për të sheshuar divergjencat me Greqinë si prova më e mirë për angazhimin e Shqipërisë ndaj BE-së, dhe ndaj marrëdhënieve të mira fqinjësore, si dhe për partneritetin lidhur me sigurinë e migracionin.

“Më lejoni të ritheksoj se Shqipëria mbetet një partner i mirë dhe një mik i BE-së në lidhje me sigurinë e migracionin, ku kemi një bashkëpunim të fuqishëm dhe të qëndrueshëm. Sot, gjithashtu, biseduam dhe ramë dakord për nevojën për të rritur përpjekjet në lidhje me çrrënjosjen e migracionit të jashtëligjshëm në Shqipëri”, përfundoi fjalën e tij presidenti i KE-së Tusk.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, shprehu fillimisht mirënjohjen që vendimi i Këshillit në qershor ishte një vendim pozitiv, ku tani Shqipëria ka një datë për të hapur negociatat formalisht dhe ka dhe dritën jeshile për të filluar menjëherë punën përgatitore që zakonisht është ajo që ndodh pas hapjes së negociatave.

“E di që nuk ishte i lehtë, por në fund është shumë e rëndësishme që tani Shqipëria ka një datë për të hapur negociatat formalisht dhe ka dritën e gjelbër për të filluar menjëherë punën përgatitore, që zakonisht është ajo që ndodh pas hapjes së negociatave”, tha Rama.

Kjo, sipas tij, “ka qenë vërtet një zgjidhje shumë e mirë”.

“Ka shumë rëndësi për ne që të futemi në këtë proces dhe gjatë këtyre 12 muajve të punojmë fort për të arritur rezultat të mirë, që kur të futemi formalisht në negociata të kemi fituar kohë dhe të ecim më shpejt”, tha Rama.

Më tej, Rama u shpreh se Shqipëria është e angazhuar të zgjidhë sa më parë problemet e vjetra me fqinjët. Ai informoi se javën e ardhshme në Tiranë do të vijë komisari për Zgjerim, Johanes Hahn, për t’u ulur me të gjithë aktorët e përfshirë në këtë proces shumë të madh analitik në kuadër të punës përgatitore. “Jemi përsëri shumë të angazhuar ndaj rrugës evropiane dhe zgjidhjes së problemeve të vjetra me fqinjët e jugut dhe kemi bërë progres të mirë. Shpresoj se do ta përfundojmë me sukses këtë dialog të vështirë, të hapur, por të sinqertë, siç jemi të angazhuar njëkohësisht ndaj bashkëpunimit dhe stabilitetit rajonal”, tha Rama.

Rajoni, sipas tij, “ka bërë një progres të madh, por ka ende shumë për të bërë”. “Ne mbështetemi tek ju, tek udhëheqja juaj, te të gjithë në Bruksel, për të ecur përpara më me shpejtësi dhe për të arritur të gjitha rezultatet e nevojshme në këtë kohë shumë intensive, por të qenësishme për Shqipërinë”, shtoi Rama.

Fotolegjenda: Vendi i Shqipërisë pa asnjë dyshim është në Bashkimin Evropian dhe Shqipëria do të bëhet një anëtare e BE-së. Kështu ka deklaruar të premten në Bruksel, presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama

Komentet

komentet