Udhëtimet me tren, në disa raste, nuk bëhen për shkak të destinacionit, por prej vetë përvojës së udhëtimit
Udhëtimin tonë e fillojmë me Glacier Express, një udhëtim gjarpërues nëpër Alpet zvicerane midis resorteve malore të Zermatt dhe St. Moritz.
I njohur si treni ekspres më i ngadaltë në botë, ky nuk është një shërbim për udhëtarët që duan të arrijnë në destinacionin e tyre me nxitim. Udhëtimi zgjat pak më shumë se tetë orë në total dhe kalon nëpër 291 kilometra terren mahnitës alpin, nën hijen e Matterhorn gjatë rrugëtimit.
Ky udhëtim ka filluar të funksionojë që nga viti 1930 dhe biletat kushtojnë rreth 135 euro, shkruan Monitor, transmeton albinfo.ch.
White Pass & Yukon Route Railway
E dyta në listën tonë është White Pass & Yukon Route Railway në Kanada. E ndodhur pranë Alaskës, Yukon është vendndodhja e malit më të lartë të Kanadasë, malit Logan, si dhe e fushave më të mëdha akullnajore jopolare të planetit në Parkun Kombëtar Kluane – një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Kjo shkretëtirë akullnajore, përafërsisht sa madhësia e Spanjës, është shtëpia e më shumë se 160,000 drerëve, 70,000 drëve të llojit “brilopatë” dhe 17,000 arinjve, prandaj sigurohuni që të merrni me vete dylbitë tuaja për këtë udhëtim që të lë pa frymë nëpër vargmalet, akullnajat dhe tundrat.
U desh puna e 35,000 personave për të ndërtuar këtë rrugë me gjatësi 177 kilometra – por ju mund t’i shijoni të gjitha nga komoditeti i një vagoni të vjetër hekurudhor.
Bergen Line
Në vendin e tretë është linja e famshme Bergen, një hekurudhë 496 kilometra që lidh Bergenin me Oslon në Norvegji.
Duke marrë parasysh një sërë fshatrash piktoreskë, fjordet e mëdha dhe liqenet blu, kjo është linja kryesore hekurudhore më e lartë në Evropën Veriore, me pamje mahnitëse në të gjithë terrenin e mbuluar me borë të këtij vendi skandinav. Nëse jeni me fat, mund të shihni edhe tufën më të madhe të drerëve të egër në Evropë, e përbërë nga mbi 9,000 kafshë.
West Coast Wilderness Railway
Në vendin e katërt renditet hekurudha West Coast Wilderness, një udhëtim me tren që të lë pa frymë duke u zhytur thellë në historinë e shkretëtirës së Tasmanisë.
Ashtu si shumë prej linjave të trenave në listën tonë, ky udhëtim 34,5 kilometra i gjatë u ndërtua mbi atë që më parë kishte qenë një rrugë për transportin e mineraleve, ndërsa tani, ai u mundëson udhëtarëve një peizazh unik të pasurive të pyjeve të lashta tropikale të Tasmanisë Perëndimore.
Treni ndalon në stacione të ndryshme përgjatë rrugës, duke ofruar shëtitje në pyje, si dhe shijimin e mjaltit të egër për udhëtarët që dëshirojnë të provojnë trashëgiminë unike të Tasmanisë.
Kandy to Ella Line
Në vendin e pestë po rendisim linjën që përshkon treni në Sri Lanka midis qyteteve malore të Kandy dhe Ella.
Udhëtimi zgjat shtatë orë e gjysmë dhe është konsideruar shpesh si udhëtimi më piktoresk me tren në botë. Me kodrat e gjelbra si smerald, plantacionet e çajit dhe pyjet e dendura që rrethojnë itinerarin, sigurohuni që të rezervoni një vend në vagonin panoramik për ta shfrytëzuar në maksimum udhëtimin tuaj.
Ndryshe nga shumë prej këtyre rrugëve mahnitëse, biletat për këtë tren janë me çmime shumë të arsyeshme, pasi një udhëtim kushton vetëm 1,75 euro.
TranzAlpine
Duke përshkruar 223 kilometra në më pak se pesë orë, TranzAlpine e Zelandës së Re është një nga udhëtimet më impresionuese me tren në botë.
Me pamjet spektakolare, ky tren udhëton nga bregdeti në bregdet, në ishullin jugor të Zelandës së Re, midis Christchurch dhe Greymouth. Ai i dërgon pasagjerët nëpër shumë parqe kombëtare, përpara se të zbresë në ish-kryeqytetin e minierave të vendit.
Hiram Bingham, A Belmond Train, Machu Picchu
Udhëtimi Hiram Bingham për në zemër të Perandorisë Inkase ja vlen të bëhet një herë në jetë.
Ky tren luksoz shoqëron pasagjerët midis qytetit peruan të Cusco-s dhe kalasë inkase të Machu Picchu – duke përshkruar Andet peruane.
Mund ta shijoni këtë udhëtim të zhytur në një kolltuk në karrocat e stilit të viteve 1920, ose të shkoni te Makina e Vëzhgimit për të parë diellin që ngrihet mbi vargmalin më të gjatë në botë. Ky është një udhëtim me tren që me siguri do t’ju lërë pa frymë.
Douro Line
Linja e famshme Douro në Portugali përshkon një rrugë prej 203 kilometrash përgjatë lumit të tretë më të madh të Gadishullit Iberik.
Nga fillimi i pranverës deri në fund të verës, pemët e lulëzuara të bajameve shoqërojnë trenin në rrugën e tij drejt jugut, duke kaluar në 30 ura dhe nëpër 26 tunele. Ky udhëtim daton që prej një shekulli dhe ndalon në stacione të panumërta historike në rrugën e tij nga qyteti bregdetar i Portos deri në fshatin e bukur të Pocinho.
Për pasagjerët që kërkojnë të shijojnë jetën e vërtetë portugeze, vera lokale është e disponueshme gjatë gjithë udhëtimit.
Royal Scotsman, A Belmond Train, Scotland
Së fundmi do të bëjmë një udhëtim në Royal Scotsman, A Belmond Train, Skoci – një tren luksoz që premton një udhëtim të paharrueshëm nëpër malësitë e thyera të Skocisë.
Duke vizituar kështjella dhe vende historike përgjatë rrugës, ky tren është kulmi i kënaqësisë – madje ka edhe spa-në e vet.
Pasagjerët që duan të gjejnë shpirtin skocez brenda tyre mund të porosisin një fustan tradicional gjatë udhëtimit.