Gjermanisë është dashur t’i jepej penallti ndaj Spanjës në çerekfinale të Kampionatit Evropian të këtij viti, ka vlerësuar Komiteti i Referëve të UEFA-s.
Spanja e eliminoi Gjermaninë me gol në minutën e fundit të vazhdimeve. Derisa rezultati ishte i barabartë, në pjesën e dytë të ndeshjes Jamal Musiala i Gjermanisë goditi në drejtim të portës. Topi u bllokua nga Marc Cucurella i Spanjës.
Topi u bllokua nga krahu i shtrirë i mbrojtësit të Chelseat. Megjithatë, përkundër përdorimit të VAR-it, nuk u dha penallti.
Komiteti i Arbitrave tani ka informuar gjyqtarët ndërkombëtare se ndodhi një gabim në atë vendim dhe se Gjermania do të duhej të fitonte penallti. Situata është përfshirë në një rishikim të fundit nga Komiteti i Arbitrave, i cili analizon lojërat e Evropianit në mënyrë që të sigurohet që arbitrat i marrin vendimet e duhurat në ndeshje e situata të ngjashme.
Dokumenti i lëshuar nga Komitetit thotë: “Duke ndjekur udhëzimet më të fundit të UEFA-s, kontakti i dorës me top, që ndalon një goditje në portë, ndëshkohet rreptësisht dhe në shumicën e rasteve duhet të jepet një goditje dënimi, pos në situatën kur krahu i mbrojtësit është shumë afër trupit ose në kontakt me trupin. Në këtë rast (të Cucurellas) mbrojtësi ndal goditjen që shkon në portë, me krahun e tij, i cili nuk është shumë afër trupit. Kështu mbrojtësi e bën veten më të madh dhe do të duhej të jepej goditje dënimi”.
Ka pasur kritika të shumta për atë situatë, sidomos nga tifozët gjermanë. Por UEFA kishte mbrojtur vendimin e arbitrit.
Njoftimi i fundit është i vonshëm për Gjermaninë dhe tifozët e saj. Dhe vetëm sa do ta bëjë më të rëndë situatën.
Shumë tifozë kanë vlerësuar se Gjermania do ta fitonte ndeshjen nëse penalltia do të akordohej.
Por Gjermania u eliminua, ndërsa Spanja më pas e fitoi titullin e kampionit të Evropës.
Gjatë Evropianit kanë ndodhur edhe disa situata tjera ku arbitrat janë kritikuar për vendimet që i morën. Por loja me dorë e Cucurellas ishte momenti më diskutabil. Dhe tani po vërtetohet që gjermanët janë dëmtuar rëndë. Ndoshta u është mohuar edhe titulli i Evropës.