Forcat ukrainase janë tërhequr nga qyteti lindor Soledar, në rajonin e Donjeckut, tha zëdhënësi ushtarak, Serhiy Cherevatyi, të mërkurën, në transmetuesin shtetëror të Ukrainës.
Ky është konfirmimi i parë i Ukrainës se forcat ruse kanë marrë nën kontroll Soledarin.
“Forcat tona përmbushën detyrën e tyre kryesore: të mos lejojnë armikun të depërtojë sistematikisht në drejtimin e Donetskut”, ka thënë Cherevatyi.
Soledari ndodhet mbi tunele të shumta të një miniere të kripës, që shtrihen përgjatë një hapësire prej rreth 200 kilometrash. Këto tunele nuk besohet të kenë vlerë strategjike, pasi që janë shumë të thella për ta mundësuar lëvizjen e pajisjeve ushtarake dhe nuk kanë mjaftueshëm oksigjen.
Megjithatë, pas një sërë zmbrapsjesh të forcave ruse që nga korriku i vitit 2022, fitorja në Soledar ka vlerë simbolike për ushtrinë e Rusisë. Me fitore në Soledar, forcat ruse do t’i afroheshin edhe qytetit të shkatërruar të Bahmutit.
Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt 2022. Pas disa muajsh humbjesh në fushëbetejë, Rusia më 13 janar tha se mori kontrollin e qytetit të minierave, Soledar.