Ukrainasit në Tetovë me rrëfime personale për luftën

“SULMET RUSE NUK NDALEN, NDËRSA UKRAINASIT JANË PA RRYMË, PA UJË DHE PA NGROHJE”

Tre përfaqësues të autoriteteve lokale në Ukrainë sot në Tetovë kanë dëshmuar për vuajtjet e popullit ukrainas para studentëve të Universitetit të Evropës Jug-lindore. Mesazhi i tyre është të vazhdojë mbështetja për Ukrainën, nga aspekti politik, i sigurisë, por edhe ai qytetar – për popullin ukrainas, në pjesën më të madhe të ditës pa rrymë, që në mënyrë më të lehtë ta kalojnë dimrin.

Violeta Dvornikova është nënë e tre fëmijëve, këshilltare e kryetarit të komunës së Irpinit dhe pjesëtare e mbrojtjes territoriale të Ukrainës. Gjatë nëntë muajve të kaluar, sa zgjat agresioni rus, fëmijët i ka parë vetëm disa herë. Pa trajnim, ka marrë armët në dorë që ta mbrojë Irpinin, i cili tani, siç thotë, është 70% i shkatërruar.

“Janë hapur pika për ngrohje, por ka problem me mungesën e rrymës, gjeneratorëve dhe të ujit. Kërkojmë nga gjithë bota, nga të gjitha shtetet të na ndihmojnë, me trafostacione dhe me gjeneratorë, kërkojmë “starlink” që të kemi internet që të mund të shpërndahen informacionet për atë që ndodh. Për shkak se sërish presim invazion në Irpin, duhet të përgatitemi” – tha Violeta Dvornikova, IRPIN, Ukrainë.

Trofim Ivanov, këshillar në administratën lokale në Vishgorod, në fjalimin para studëntëve të Universitetit të Evropës Jug-lindore në Tetovë, theksoi se lufta e cila në fakt ka nisur në vitin 2014 është dukur “e largët” për njerëzit në Ukrainën qendrore, derisa në shkurt të këtij viti u sulmua kryeqyteti Kiev. Raketat ruse prej atëherë nuk kanë të ndalur.

“Javën e kaluar në Rusi fluturoi një raketë dhe shkatërroi një ndërtesë apartamentesh. Shtatë persona humbën jetën dhe 38 u lënduan. Më pas u goditën edhe tri ndërtesa të tjera. Në disa pjesë të vendit rrymë ka vetëm 4-6 orë në ditë” – tha Trofim Ivanov, Vishgorod, Ukrainë.

Rektori i Universitetit nikoqir mysafirëve nga Ukraina ua vuri në dukje se Ballkani i kupton Ukrainasit për shkak të traumave të luftës para dy-tri dekadave, por se ende është nën ndikimin e dezinformatave, tensioneve dhe konflikteve potenciale, të nxitura nga Rusia, ndërsa me ndihmën e Serbisë, e cila fabrikon, siç theksoi, lajme të rrejshme.

“Në shekullin që është pas nesh, nuk mund të fitohej asnjë luftë agresive dhe e pajustifikueshme në qoftë se populli, sidomos rinia, nuk kishin përkushtim dhe vullnet ta mbrojnë atdheun e tyre, pa marrë parasysh humbjet. Populli i Ukrainës e dëshmoi këtë, prej së cilës do të mësojnë jo vetëm gjeneratat e reja, por shpresoj edhe politikanët – diktatorë” – deklaroi AbdulMenaf Bexheti, rektor i UEJL-së.

Përfaqësuesit e komunave nga Ukraina para se të flasin në Tetovë kanë marrë pjesë në tribuna të ngjajshme në Novi Sad, në Sarajeve dhe në Tuzlla, të shoqëruar nga politikani opozitar serb Nenad Çanak, kritikues i ashpër i politikës së Kremlinit, por edhe i autoriteteve në Beograd. /KlanMacedonia/